Nikaj: Jemi disa ekipe të traditës që pretendojmë Superligën

Futboll

Nikaj: Jemi disa ekipe të traditës që pretendojmë Superligën

Nga: Kemajl Goca Më: 19 shtator 2018 Në ora: 10:36
Samuel Nikaj

Në katër javët e para të Ligës së Parë të Kosovës, gjithsesi se ka befasi, si bie fjala Onix nga Banja e Pejës kryeson renditjen me 10 pikë, kurse Arbëria nga Dobraja e Madhe renditet në pozitën e tretë me 9 sosh.  Vushtrria është në pozitën e dytë me 9 pikë, me tri fitore dhe të vetmen humbje në hapje të edicionit me rezultat 1:0 në Gjakovë nga Vëllaznimi. Në javën e dytë Vushtrria si vendas e mundi me 2:1 Arbërinë, pastaj fitoi 3:0 në Hogosht kundër Kikës dhe para shikuesve të vet me 2:1 e mposhti Vllazninë nga Pozhorani.  Synimi i vushtrriasve është rikthimi në elitën e futbollit të Kosovës. Kryetrajneri i kësaj skuadre, Samuel Nikaj, beson shumë të futbollistët e tij se do t’i realizojnë synimet që kanë para vetes. A i ka përmbushur pritshmëritë Vushtrria për katër javët e para? 

“Mendoj që nuk i kemi përmbushur pritshmëritë, pasi mbas katër javëve të para pretenduam të kemi 12 pikë. Kemi ekipin më të mirë në ligë, kemi financa të garantuara nga kryetari Naser Imeri”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Nikaj. Çfarë i mungon më shumë Vushtrrisë për këto javë? “Thjesht ana psikologjike na ka penguar, plus mungesa e tifogrupit ‘Forca’”, përgjigjet Nikaj.  Në katër javët e para shihet se lufta për dy vendet e para do të jetë e ashpër, pozita që shpien direkt në elitën e futbollit. 

“Jemi disa ekipe të traditës dhe që pretendojmë Superligën. Unë do të veçoj Vëllaznimin, Besën dhe Dukagjinin”, tha kryetrajneri i Vushtrrisë.  Nikaj tha se si ekipe të papërshtatshme mund të jenë ato që luftojnë për barazh: “Besoj që do të jemi një nga dy ekipet që do të inkuadrohem direkt në Superligë. Ekipe të papërshtatshme në këtë luftë shohë ekipet që pretendojnë barazhin”. Në javën e ardhshme Vushtrria luan në fushë të Vitisë, a besoni se do të jetë një sfidë e lehtë? “Kam eksperiencë në këtë ligë dhe e di mirë që nuk ka sfida të lehta, aq me pak që Vitia njihet si ekip që i ka dhënë tonin ligës këto vitet e fundit”, theksoi Nikaj.  Në cilat reparte po çalon Vushtrria dhe a ka nevojë për një sulmues tipik? 

“Kemi ekipin më të mirë, e citova edhe më lartë. Kemi sulmuesin më të mirë në Kosovë, Labinot Osmanin, pa harruar ish kapitenin e KEK-ut, Visar Sahitin dhe transferin nga Shqipëria Anton Lleshi, si dhe dy të rinjtë të talentuar si Taulant Avdyli dhe Hetem Hyseni, prandaj mendoj që kemi sulm të denjë për Superligë”, thotë Nikaj. Është interesant se në Ligën e parë garojnë edhe disa skuadra me renome, si Trepça, Vëllaznimi, Besa, Ramiz Sadiku etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat