Coutinho: Kur gjuan Messi, ne shijojmë golat

Futboll

Coutinho: Kur gjuan Messi, ne shijojmë golat

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 11:26
Coutinho: Kur gjuan Messi, ne shijojmë golat

Gjatë një eventi publicitar, Philippe Coutinho u përball me pyetjet e disa tifozëve. Futbollisti, i lumtur për debutimin në Champions League me Barcelonën, deklaroi: “këtë sezon ne shpresojmë të fitojmë gjithçka dhe nuk dua t’ja di se ku luaj, në qendër apo në krah, në mbrojtje ose në sulm, ajo që dua është të luaj. Vetëm për postin e portierit jam i shkurtër”, deklaroi braziliani i Barcelonës.

Lidhur me sfidën për të fituar Champions League këtë sezon, mesfushori i ekipit blaugrana deklaroi: “tifozët dhe skuadra dëshiron të ngrejë lart në qiell trofeun, mbrëmja e të martës ishte speciale dhe ndjesia ishte fantastike. Ishte disi e çuditshme për shkak të orarit, por ishte e mirë”. Referuar aftësisë së Lionel Messi për të shënuar nga goditjet e dënimit, Coutinho, gjithashtu një specialist i goditjeve standard rrëfeu:

“Ai gjuan dhe shënon shumë herë, kështu që ne duhet të shijojmë këtë gjë, ajo që bën ai është fantastike. Është e qartë që Barça lufton gjithmonë për të gjithë titujt dhe ajo që duam ne është të luftojmë që trofeu i Champions League të rikthehet në ‘Camp Nou’. Ndjesia ime ishte unike në debutimin me Barcelonën në kompeticionin më madhështor europian, sepse sezonin e kaluar nuk luajta dot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat