Shala: Kemi kaluar krizën

Futboll

Shala: Kemi kaluar krizën

Nga: Kemajl Goca Më: 24 shtator 2018 Në ora: 18:56
Arbër Shala në veprim

Drita nga Gjilani ka hedhur pas shpine serinë e zezë të rezultateve. Pas katër humbjeve rresht Drita i kthehet fitoreve, duke e mposhtur skuadrën me renome Prishtinën, me rezultat 1:0.  Fitore e madhe dhe që kthen vetëbesimin te skuadra gjilanase. Protagonist i fitores ka qenë mbrojtësi Arbër Shala. Futbollisti është i lumtur që shënoi golin e fitoreve dhe sipas tij, kjo fitore u arrit me kontributin e të gjithëve. Drita aktualisht është në vend të dhjetë me 6 pikë, 8 me pak se lideri Feronikeli nga Drenasi. 

Tri pikë vijnë në momentin më të duhur për klubin kaltër e bardhë, për faktin se gjatë kësaj jave do të ndeshen me rivalin më të madh, Gjilani. Shala tha se triumfit ndaj Prishtinës është pozitive për ekipin dhe që i jep edhe më shumë motiv për në vazhdim të kampionatit. Ai Dritën e sheh si pretendent për titullin e kampionit, duke u bazuar në cilësitë që kanë.  Megjithatë, Drita përgatitet për sfidën e radhës dhe me synime për t’i marrë edhe tri pikë të reja, që do ta stabilizoni dhe përforconi hapin në luftë për kreun e tabelës.

“Bota sot”: Drita pas katër humbjeve iu kthehet fitoreve, ku ishte çelësi?

Arbër Shala: Pas katër humbjeve kthehemi te fitorja dhe kjo është një gjë e mirë për neve. Unë mendoj që çelësi i suksesit është te ne lojtarët sepse jemi një grup ku luajmë të gjithë për një dhe një për të gjithë. Ndaj Prishtinës bëmë lojë të mirë dhe morëm tri pikë.

“Bota sot”: Sa ishte vështirë me Prishtinën, sidomos në dhjetë minuta e fundit edhe pa një lojtar, pasi që Liridon Leci u përjashtua me karton të kuq (pas dy të verdhëve)?

Arbër Shala: Thënë të drejtën ishe pak e vështirë sepse edhe ishin momentet ku Prishtina u vërsul në sulm me të gjitha forcat, kjo e bëri edhe më të lehtë për Prishtinën, por në fund ja dolëm dhe fituam tri pikë.

“Bota sot”: A mendoni se Drita ka tejkaluar krizën?

Arbër Shala: Mendoj se tashmë kemi kaluar krizën që e kishim dhe mendoj që ndeshje pas ndeshje do të jemi edhe më të fortë për kundërshtarët.  

“Bota sot”: Si e sheh Dritën në vazhdim të kampionatit?

Arbër Shala: Dritën në vazhdim e shoh si ekip edhe më të fortë se sa e keni parë në ndeshjen me Prishtinën. Synimi ynë është të tregojmë lojëra të bukura dhe të dëshmojmë fuqinë e kampionit.

“Bota sot”:  A besoni se Drita mund të jetë konkurrent i fortë në luftë për mbrojtjen e titullit?

Arbër Shala: Normalisht që Drita është njëri ndër kandidatët për titull  dhe shpresojmë që në fund të kampionatit do t’i arrijmë objektivat që i kanë vendos drejtuesit e klubit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat