Si votuan Messi dhe Ronaldo për njëri-tjetrin?

Futboll

Si votuan Messi dhe Ronaldo për njëri-tjetrin?

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 11:45
Si votuan Messi dhe Ronaldo për njëri-tjetrin?

Natyrisht, ata të dy “shkëlqyen” me mungesën e tyre (kështu janë shprehur disa media kryesore europiane) në ceremoninë e FIFA-s, të zhvilluar mbrëmë në Londër. Duke mos e parë veten fitues, të mësuar me këtë në dekadën e fundit; herë njëri e herë tjetri, Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi e bojkotuan kurorëzimin e Luka Modric si më i miri në botë.

Portugezi ishte në “podiumin tresh”, në fakt, ndërsa argjentinasi i Barcelonës jo. Ky veprim i tyre është kritikuar nga figura të njohura të futbollit botëror, si Fabio Capello apo Sergio Ramos. Gjithsesi, duke qëndruar te këto dy yje, që kishin vendosur “diktaturën” e tyre në “The Best” dhe “Topi i Artë” në dhjetë vitet e fundit, ia vlen të qëmtojmë votimet e tyre, si kapitenë të kombëtareve respektive.

Sa pikë i kanë dhënë njëri-tjetrit, cilin futbollist kanë votuar për më të mirin? Portugezi, që u transferua kësaj vere te Juventusi, ka bërë një votim të tillë: 5 pikë për Varane, 3 pikë për Modric dhe 1 pikë për Griezmann. Sikurse shihet, ka përzgjedhur dy kampionë bote me Francën dhe “Topin e Artë” të Botërorit të Rusisë.

Dy prej tyre, bashkëlojtarë te Real Madridi deri në fund të sezonit të kaluar. Parimisht, asgjë për t’u kritikuar, por kur vjen puna te Messi, ai mungon në “shijet” e CR7. Tjetër shenjë e egos së madhe të luzitanit për të qenë i pari, mbi të gjithë, edhe pse nuk ka më shumë se pesë “Topa të Artë”, sa edhe Messi.

Krejt e kundërta është në rastin e yllit argjentinas të Barcelonës. Ai nuk e ka injoruar totalisht rivalin portugez (siç ka bërë ky i fundit me të), por i kanë dhënë 1 pikë. Messi ka votuar me 5 pikë Luka Modric, fituesin e “The Best”, si dhe me 3 pikë Kylian Mbappe, i shpallur lojtari i ri më i mirë i Botërorit të Rusisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat