Vata i përgjigjet Troshanit

Futboll

Vata i përgjigjet Troshanit

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 14:37
Vata i përgjigjet Troshanit

Rudi Vata i është kundërpërgjigjur ish-nënkryetarit të Bashkisë Shkodër dhe njëkohësisht ishkreut të bordit të klubit Vllaznia, Rdivan Troshani, pas ironisë që ky i fundit bëri dy ditë më parë në “Facebook”. Ish-trajneri i Vllaznisë e pati akuzuar Troshanin se jepte urdhra për të dëmtuar punën e tij, duke trukuar ndeshjet në dëm të kuqebluve me Armir Grimën dhe Kujtim Shabën. “Meqë paska replikuar në ‘Facebook’ po lë si mesazh një thënie të të madhit Fishta.

‘Ju rrugaça sallahana, vagabonda shakllabana, rricna t’ndyet, mikrobe të kqi të mjerës moj Shqipni, kthjellhtë i keni në mukshni pa dhimbje gjakun tuaj ia pi, por deri kur, bre batakçi!’. Kjo është përgjigjja ime për këtë dhe shumë si ai që kanë kontribuar dhe kontribuojnë akoma për ta mbajtur Shqipërinë në mjerim, injorancë dhe pasiguri. Të gjithë e duan drejtësinë, por pak i duan njerëzit e drejtë”, deklaroi dje Vata për “Panorama Sport”.

Pas arrestimit të Armir Grimës ditën e shtunë, reagoi menjëherë edhe ish-lojtari dhe ishtrajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, i cili ka bashkëpunuar me Grimën te skuadra shkodrane. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Vata tregoi se Armir Grima dhe Kujtim Shaba me urdhër të kryetarit të bordit të klubit në vitin 2012, Ridvan Troshani, u organizuan për të dëmtuar punën e bërë nga Vata.

Gazeta e kontaktoi Troshanin për të reaguar në lidhje me akuzat e Vatës, por nuk pranoi. Por, dy ditë më parë, ish-kryetari i bordit të klubit Vllaznia ka reaguar nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ndërsa nuk e përmend me emër ish-trajnerin e Vllaznisë. “Ndodh që rrugës për punët e tua mëson për një shpifje-kafshim, në kërkim për të nevojshmen përgjigje vaksinuese, gjen Fishtën, për sa mund të shërbejë si ngushëllim: ‘Ti mendjen mos e vrit o lum miku, kur t’gjykon i padituni e i ligu'”, shkruante Troshani në “Facebook”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat