Chelsea-Liverpool, kryesfida e dy strategëve dhe “hakmarrjes” së freskët

Futboll

Chelsea-Liverpool, kryesfida e dy strategëve dhe “hakmarrjes” së freskët

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 11:59
Chelsea-Liverpool

Liverpool ka mundësinë të thyejë një rekord të Premier League, nëse do të mposhtë Chelsea në “Stamford Bridge”, sonte, megjithëse nuk do të jetë një gjë e lehtë, mjafton të kujtojmë se u eliminua nga “Carabao Cup” të mërkurën prej bluve të Londrës.

“Reds” janë e vetmja skuadër e Premier League, që ka mbajtur një start të përsosur të sezonit, me pikë të plota, ndërsa Manchester City dhe Chelsea vijnë më pas, pasi kanë firmosur nga një barazim. Eden Hazard mund t’iu shkaktojë dëme të mëtejshme të kuqve, pasi goli i tij fitues i rrëzoi nga “Carabao Cup” finalistët e Champions-it në sezonin e kaluar, ndaj Liverpool do të jetë i etur për hakmarrje të freskët.

Pedro duket plotësisht i aftë për të luajtur, pas një dëmtimi të shpatullave, të pësuar ndaj PAOK në “Europa League”, ndërsa Antonio Rudiger po përballet me rikuperimin fizik në sallën e fitnesit, pas largimit nga fusha kundër West Ham. Andreas Christensen ishte një shqetësim për trajnerin Sarri, pasi u detyrua të dilte nga fusha i pamundur në ndeshjen e mesjavës, kundër Liverpool, ndërsa Ruben Loftus-Cheek, gjithashtu, duhej të trajtohej nga stafi mjekësor, pas ankesave në trajnim.

Formacioni i mundshëm i Chelsea: Kepa; Azpilicueta, Rudiger, Luiz, Alonso; Kante, Jorginho, Kovacic; Pedro, Giroud, Hazard.

Dejan Lovren është ende një dyshim për Jurgen Klopp, pavarësisht shfaqjes në humbjen e “Carabao Cup” ndaj Chelsea. Ai ka ende për të bërë në drejtim të rikapjes së formës optimale sportive.
Virgil van Dijk la “gjurmën” e tij kundër Southampton, me një problem në brinjë, megjithëse ka udhëtuar me skuadrën drejt Londrës dhe mund të luajë përkundër dhimbjeve për “Reds”. Alex Oxlade-Chamberlain është një mungesë afatgjatë, ndërsa Divok Origi dhe Adam Lallana janë në dyshim.

Formacioni i mundshëm i Liverpool: Alisson; Alexander-Arnold, Gomez, Van Dijk, Robertson; Milner, Henderson, Wijnaldum; Salah, Firmino, Mane.

Chelsea e ka befasuar tashmë Liverpool në këtë sezon, duke i eliminuar “Reds” nga “Carabao Cup”. Kjo do të thotë se skuadra e Jurgen Klopp do të synojë një hakmarrje të shpejtë, “flakë për flakë”, kundër rivalëve që kërkojnë titullin. Liverpool bëri tetë ndryshime për t’u përballur me blutë e Londrës të mërkurën, duke lënë Mohamed Salah dhe Roberto Firmino në stol, ndërsa soji i Simon Mignolet, Alberto Moreno dhe Fabinho ishin titullarë. Braziliani ka luftuar për të pasur ndikim në fushë deri tani, pas ardhjes së tij verore nga Monako. Ai pritet të lihet në stol, në favor të mesfushorit Jordan Henderson dhe James Milner.

Skuadra e Maurizio Sarri vjen nga një barazim (në kampionat) kundër West Ham, por mbetet i pamposhtur në të gjitha garat, me lojtarët e tij, që e kanë adoptuar stilin “Sarriball” me lehtësi relative. Gjashtë ndeshje në po kaq sfida të Premier League pa humbur, që nga fillimi i sezonit, është një rekord për klubin e Roman Abramovic. Liverpool ka mundësinë për ta thyer këtë rekord, nëse fiton kundër Chelsea.

Salah ka shënuar vetëm dy gola dhe ka dhënë dy asiste deri më tani, këtë sezon, por ky është vetëm një gol më pak se rekordi i tij i sezonit të kaluar, pas gjashtë ndeshjeve të para. Ai duhet të jetë i motivuar për t’i shënuar ish-skuadrës së tij, të shtunën. Skuadra e Klopp ka një kalendar të vështirë ndeshjesh përpara, pasi do të përballet me “Blues”, Napolin dhe Manchester City në harkun kohor të një jave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat