Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka refuzuar të flasë për një afrim të mundshëm të Paul Pogba.
Mesfushori i Manchester United flitet se ka dëshirë të transferohet te katalanët, në rast se do të largohet nga “Old Trafford”, duke marrë parasysh krisjen e marrëdhënieve me Jose Mourinhon.
Barça është e interesuar për 25-vjeçarin, por nuk kanë ndërmend të shpenzojnë më shumë se 100 milionë paundë, dyfish më pak se ajo që kërkon aktualisht United.
“Kur dëgjon nga menaxherët se një lojtar i caktuar është në merkato, e nuk po e them këtë për Pogba, por, në përgjithësi, telefonoj presidentin e klubit tjetër dhe e pyes nëse dëshiron me të vërtetë ta shesë atë lojtar. Zakonisht ata thonë se lojtari nuk është në shitje e diskutimi mbyllet aty”.
Pas 2 viteve tek United, Pogba duket se është drejt largimit nga klubi anglez. Flitet se vetëm njëri mes tij e Mourinhos do të qëndrojë në Manchester, me portugezin i cili rrezikon seriozisht, duke marrë parasysh rezulatet e dobëta në këtë fillim sezoni. Mbetet për t’u parë nëse situata e ish-futbollistit të Juventusit do të ndryshojë.
Nëse “The Special One” largohet, trajner i “Dajve” me shumë mundësi do të bëhet Zinedine Zidane, fitues i tre trofeve Champions radhazi dhe bashkëkombës i mesfushorit francez.