Çfarë i bindi kroatët për shqiptarin

Futboll

Çfarë i bindi kroatët për shqiptarin

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 10:34
Myrto Uzuni

Myrto Uzuni arriti të gjej golin e parë në kampionatin kroat të futbollit, në ndeshjen e tretë që luajti me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit. Ish-sulmuesi i Laçit i transferuar në limitet e merkatos në Kroaci, duket se është përshtatur me ekipin e ri. Trajneri i beson shumë dhe çdo ditë e motivon për të dhënë më të mirën. Sakaq Uzuni e ka shpërblyer besimin e trajnerit dhe investimin e presidentit të klubit për blerjen e tij. Telesportkontaktoi sulmuesin këtë të hënë, për të mësuar më shumë rreth emocioneve të golit të parë në Kroaci.

“Për golin jam ndier shumë mirë, pasi e prisja. Kisha qenë i pafat në ndeshjet e para edhe pse mediat kroate më kanë vlerësuar si lojtarin më të mirë të skuadrës. Ai gol dje më ka kënaqur shumë. Ky nuk është hapi im më i madh në karrierë, është vetëm hapi i parë. Unë jam gati për të punuar fortë, me cilësinë dhe talentin që kam, besoj se kam për të arritur shumë në karrierë”-u shpreh Myrto Uzuni.

Në deklarimin e tij, Uzuni tregon për Telesport se trajneri e ka komplimentuar duke i thënë se ishte shumë i lumtur për golin e tij. Sakaq ai shprehet se futbollit kroat është shumë më i zhvilluar se ai shqiptar, që sipas Uzunit, krahasimi është si nata me ditën.

“Kampionati kroat është më i fortë. E pamë dhe në Kupën e Botës që Kroacia shkoi në finale. Këtu është futboll më i fortë, më i shpejtë, nuk ka ndalesa loje, nuk ndalon loja kur del topi jashtë. Nuk ka faulle të shpeshta, është ndryshim si nata me ditën. Unë jam përshtatur shumë falë trajnerit. Kemi një trajner shumë të mrekullueshëm që më mbështet shumë. Trajneri më tha: “Jam shumë i lumtur për golin tënd”. Këtu më duan shumë si stafi, trajneri dhe presidenti.  Golin normalisht ia dedikoj familjes time”-shprehet sulmuesi.

Ëndërr e çdo futbollisti është të përfaqësojë atdheun e tij, kështu shprehet Uzuni, kur e pyet për ftesën në kombëtare. Nuk është gjë e re, nëse ftesa për Uzunin do të vij tashmë nga kombëtarja, pasi më herët jemi mësuar që trajneri Panucci të bëj një gjë të tillë me Gurin dhe Abazajn, vetëm pasi u zyrtarizua lajmi se dy futbollistët firmosën në Belgjikë.

“Jo vetëm për mua, por ëndërra e çdo lojtari është të përfaqësoj atdheun e tij. Dhe për mua kjo është ëndërra më e madhe, të vesh bluzën e kombëtares. Kjo nuk është në dorën time, unë do vazhdoj të luaj mirë dhe të shënoj, pastaj besoj se dhe ftesa ka për të ardhur. Deri tani nuk më ka kontaktuar askush, por inshallah po më vjen ftesa”-thotë sulmuesi i qendrës.

Në fund ai tregon edhe arsyet pse klubi i Lokomotivës u bind për të blerë kartonin e sulmuesit. Sipas Uzunit, shpejtësia dhe shpirti i garës, janë dy arsyet pse kroatët vendosën të rrëmbejnë sulmuesin e Laçit.

“Sa i përket transferimit, besoj se kroatët u bindën  pasi më vlerësuan për shpirtin e garës dhe vrapoj shumë. Besoj se në futbollin e sotëm nuk bëhesh lojtar nëse nuk vrapon. Laçin e kam ndjekur pasi kam aplikacionin dhe i ndjek të gjitha ndeshjes. Kam simpati dhe e kam në zemër Laçin. U lumturova shumë për fitoren në Kamëz dhe pikët që kanë deri tani”-përfundon Myrto Uzuni.

Pas fitores së djeshme ndaj Gorica me rezultatin 0-3 në transfertë, ku shënoi dhe Myrto Uzuni, skuadra e Lokomitivës së Zagrebit ngjitet në vendin e dytë në renditje me 19 pikë, 2 më pak se Dinamo e Zagrebit, që mban vendin e parë në kampionat. Në tre ndeshje me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit, Myrto Uzuni ka shënuar një gol dhe ka asistuar dy të tjerë, duke fituar vendin e titullarit pa asnjë problem. Nga këmbët e tij kanë ardhur gola të rëndësishëm për skuadrën, që tashmë duket se është në rrugë të mbarë në luftën për titull. Kaq duhet të mjaftojë që trajneri i ekipit kombëtar Christian Panucci, të shoh me kujdes potencialin e lojtarit, që në tre ndeshje të plota ka qenë protagonist i padiskutueshëm për skuadrën e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat