Ferizajt i kthehet buzëqeshja

Futboll

Ferizajt i kthehet buzëqeshja

Nga: K. Goca Më: 2 tetor 2018 Në ora: 17:53
KF Ferizaj

Skuadra e futbollit Ferizaj ka hedhur pas shpine serinë negative të rezultateve. Ferizajasit shënuan fitore me rezultat 2:0 në përballje me Drenicën nga Skenderaj, në kuadër të javës së tetë të IPKO Superligës së Kosovës. Gjithçka u vendos në pjesë e dytë, kur vendasit shënuan golat e fitores, njëherësh duke sjellë gëzim të madh edhe te tifozët “Ujqit”.

Genc Hamiti (67’) dhe Dren Gashi (87’) shënuan për fitoren e madhe. Ferizaj bëri lojë të mirë dhe kjo fitore është një infuzion i mirë për sfidat e radhës. Ferizajt i kthehet buzëqeshja, kurse Drenica janë të zhgënjyer nga kjo humbje.

Kryetrajneri Afrim Tovërlani gradualisht po e stabilizon lojën, për faktin se ferizajasit kishin nisur përgatitjet shumë me vonesë. Ferizajt aktualisht është në vend të nëntë me 7 pikë, pesë me pak se Drenica pozitën e gjashtë. Në javën e nëntë Ferizaj është mysafirë i Ballkanit, kurse Drenica ndeshet me Dritën nga Gjilani.

Tovërlani është i kënaqur me tri pikët e arkëtuara. “Lojtarët kanë treguar më shumë se në ndeshjet të tjera. E kanë dashur fitoren më shumë se Drenica e cila luan lojë të qetë dhe i përgëzoj. Jemi optimist për ndeshjet e radhës. Mos te përsëris se na është dashur kohë pasi që kemi filluar me vonesë. Asnjëherë nuk e kam humbur shpresën. Në shumicën e ndeshjeve kemi humbur nga gabimet tona”, tha Tovërlani.  

Kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, është i mllefosur edhe në ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët. “Dua ta pyes Afrim Tovërlanin se çka do të thotë për referimin e sotëm. Kur të anulohet një gol e rregullt, nuk e di se çka të them. Në pjesën e parë kemi luajtur mirë, kemi realizuar gol, nuk e di pse u anulua. Pjesa e dytë ka qenë diçka tjetër. Nuk e di pse referat bëhen akterë të ndeshjes, lojtarët duhet të jenë akterë të ndeshjes. Është koha e duhur që FFK të marrë masa. Duhet ta dimë se ka po shkojmë. Gjyqtari anësor nuk e meriton të jetë në Superligë. Është turp për FFK-në të delegohen gjyqtarë të tillë”, ka thënë Lushtaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat