Dueli Kosovë-Shqipëri vazhdon, Dermaku është “goli” i Panuccit

Futboll

Dueli Kosovë-Shqipëri vazhdon, Dermaku është “goli” i Panuccit

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 19:12
Dueli Kosovë-Shqipëri vazhdon, Dermaku është “goli” i Panuccit

Ishte shkurti i vitit 2013 kur trajneri aktual i Partizanit, Skënder Gega, në atë kohë kreu i pankinës së ekipit Shpresa, do të thërriste me U-21 Kastriot Dermakun, vetëm 21 vjeç.

Mbrojtës shtatlartë, me potencial dhe që aktivizohej me Melfin në kategorinë e tretë italiane. Një grumbullim dhe një debutim për të, në miqësoren ndaj Maqedonisë. Dermaku luajti vetëm 24 minuta, teksa më pas u la na harresë për shumë vite.

Dermaku me U-21 e Shqiperise, miqesorja ndaj Maqedonise, ne shkurt te vitit 2013

Ndërkohë, Empoli pagoi për kartonin e tij, duke nisur më pas një seri huazimesh për futbollistin e lindur në Scandinado të Italisë. Në fillim te Pavia, më pas te Luchese, teksa në fund, toskanët vendosën që të mos rinovonin kontratën e mbrojtësit, që kishte mbushur 25 vjeç dhe nuk kishte bindur. Kështu, kalimi si futbollist i lirë te Cosenza u bë i mundur në verën e vitit të shkuar.

Paraqitje të mira në Lega Pro, ose Seria C italiane për shtatlartin e mbrojtjes, aq sa i ra në sy drejtuesve të federatës kosovare të futbollit dhe, sidomos, trajnerit Bernard Challande, që vendosi ta grumbullonte për dy sfidat përballë Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroer për Ligën e Kombeve, shkruan telesport.

Kastriot Dermaku, i biri i Luan Dermakut, ish-sulmues i Prishtinës shumë vite më parë, pranoi ftesën dhe u prezantua rregullisht, por nuk pati mundësi të zbriste në fushë.

Por, historia me Shqipërinë nuk ishte mbyllur për lojtarin që ka nështetësi kosovare dhe shqiptare. Kështu, në mënyrë të pabefasueshme, Christian Panuçi, trajneri italian i përfaqësueses kuqezi, vendos ta thërrasë për ndeshjet ndaj Jordanisë dhe Izraelit.

Mbrojtësi i Cosenzas ka thënë po dhe tashmë do të jetë pjesë e kuqezinjve, 5 vjet pasi u provua me U-21. Ndryshe nga Chalande, Panuçi është i vendosur ta aktivizojë debutuesin dhe kështu do të mbyllet përgjithmonë rruga për në Kosovë për të.

Sigurisht, sfida e së vërtetës do të jetë ndaj Izraelit, pasi me Jordaninë është miqësore dhe në protokollin e rregullores FIFA dhe UEFA nuk konsiderohet.

Thirrja e Dermakut rikonfirmon atë që është thënë gjithmonë nën zë, por kurrë nga zyrtarët e lartë të dy federative: Shqipëria dhe Kosova janë në garë mes tyre për afrimin e lojtarëve në kombëtare dhe raportet nuk janë aspak të mira, siç pretendohet dhe thuhet.

Përgjatë gjashtë muajve të fundit, shumë lojtarë janë vëzhguar nga dy federatat, teksa lufta e ftohtë është kryer sidomos nën rrogozë, aty ku kushdo përpiqet të bindë lojtarët që mund të përfaqësojnë njërën apo tjetrën përfaqësuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat