Shkëndija në përparësi

Futboll

Shkëndija në përparësi

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 13:24
Ilustrim

Shkëndija e Tetovës me epërsi 2:0 nga ndeshja e parë të mërkurën zhvillojnë transfertën me Kit-Go në Pehçevë në kërkim të kualifikimit në 1/4 e finales së Kupës.

Ndeshja e kthimit e 1/8 së Kupës së Maqedonisë është mundësi e mirë për skuadrën që të lë pas dy rezultatet e fundit negative. Pas një serie prej gjashtë triumfeve të njëpasnjëshme në kampionat dhe Kupë, kuqezinjtë hynë në mini krizë e cila shpresohet të ndërpritet shpejtë. Kundërshtari i radhës për Shkëndijën është ekipi i kategorisë së dytë, Kit-Go nga Pehçeva dhe futbollistët kuqezi duken të bindur për të shfrytëzuar këtë ndeshje për të bërë kthesën drejt një serie të re pozitive. Skuadra dy ditët e fundit ka punuar me vëmendje kah kjo përballje në të cilën Shkëndija hyn me epërsi 2:0 nga ndeshja e parë e luajtur në Tetovë tre javëmë parë.

Visar Musliu dhe Remzifaik Selmani rikthehen në skuadër, pasi munguan shkaku i pezullimit (Musliu humbi sfidën me A. Pandev pasi kishte grumbulluar 5 kartona të verdhë, ndërsa Selmani mungoi në takimet me Pobedën dhe A. Pandev shkaku i kartonit të kuq në takimin me Sileksin). Futbollistët tjerë janë të gatshëm dhe stafi teknik pa asnjë mungesë mund të zgjedhë formacionin që do të nisë këtë ndeshje.

Skuadrën modeste por ambicioze nga Pehçeva e kemi prezantuar para sfidës së parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë. Pa shumë histori dhe me sezon debutues në Ligën e Dytë të futbollit vendor, Kit-Go bëri emër me eliminimin senzacional që i bëri FC Shkupit. Momentalisht në kampionat gjërat u ecin mirë dhe pas shtatë xhirove mbajnë pozitën e dytë në renditje me 16-të pikë të tubuara (pesë fitore, një barazim dhe një humbje). Vlen të ceket se pas përballjes së parë me Shkëndijën e luajtur më 19 shtator në Tetovë kur pësuan 2:0, kanë hyrë në seri pozitive dhe numërojnë tre triumfe në po aq ndeshje të zhvilluara. Fillimisht fituan si mysafirë 1:0 ndaj Detonit Junior, për të mundur 3:1 Sasa-n e Makedonska Kamenicës, ndërsa fundjavën e fundit me 2:0 triumfuan në fushë të Partizan Obrshanit.

Ndeshja Kit Go-Shkëndija luhet të mërkurën në Pehçevë me fillim në orën 15:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat