Fitore e vuajtur e Tiranës

Futboll

Fitore e vuajtur e Tiranës

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 16:33
Fitore e vuajtur e Tiranës

Dy skuadrat debutuese në Superligë këtë sezon, Kastrioti dhe Tirana, janë përballur mes tyre këtë mesditë në kuadër të javës së shtatë të kampionatit. Pas humbjes në derbi një javë më parë kundër Partizanit, bardheblutë bën kthesën sot, teksa në takimin e luajtur në Fushë Krujë fituan me përmbysje ndaj Kastriotit me rezultatin 2-3.

Pjesa e parë e lojës nisi mirë për vendasit, të cilët morën disa aksione të rrezikshme në portën kundërshtare. Por gjithçka do të mbetej me kaq, pasi pas minutës së 10-të të lojës, futbollistët e Tiranës kapin ritmin dhe nisin të sulmojnë.

Ngoo është protagonist në disa momente, teksa përballë portës sulmuesi bardheblu nuk arrinë të gjej rrjetën kundërshtare. Në mesin e fushës, aty ku pati shumë probleme një javë më parë, Tirana tregohet më e kujdesshme, teksa aty dalin disa topa që nuk shfrytëzohen si duhet nga sulmuesit.

Momenti i parë i rrezikshëm është në minutën e 27` për ekipin e Tiranës. Michael Ngoo shpërdoron një mundësi të shkëlqyer për të shënuar gol. Blazhevski nga krahët asiston Ngoo që ndodhet brenda zonës, topi rrëshqet nga këmbët e tij, teksa portieri devijon jashtë. Kështu skuadra bardheblu humb një mundësi të mirë për të ndryshuar shifrat.

Minuta e 30` e lojës, vendasit arrijnë të surprizojnë duke shënuar në portën e Ilion Likës. Ky i fundit del nga zona me qëllimin për të ndalur vrapimin e Bardhit, që merr një top të bukur,  dhe vrapon në krahë duke shmangur portierin bardheblu. I gjendur me portën e boshatisur, Bardhi gjuan dhe dërgon sferën në rrjetë. Kastrioti kalon në avantazh me rezultatin 1-0.

Reagimi i Tiranës vjen vetëm tre minuta më vonë, teksa në minutën e 33`, është Bedri Greca ai që shënon golin e barazimit për ekipin bardheblu, me topin që shkon në rrjetë i ndihmuar dhe nga futbollisti vendas Stijepoviç. Kështu me barazpeshën në shifra, Tirana hidhet sërish në sulm duke ushtruar presion ndaj mbrojtjes kundërshtare.

Një kundërsulm tjetër në minutën e 38`, me Ngoo që shkon në zonë por pa mundur të provojë gjuajtjen, kthen topin sërish jashtë zone aty ku ndodhet Dejan Blazhevski, i cili godet fortë dhe dërgon sferën në shtyllën e dytë. Tirana kalon në avantazh me shifrat 1-2, ndërsa Blazhevski ndëshkohet me kartonë të verdhë pasi festoi duke hequr bluzën. Kështu mbyllet pjesa e parë e takimit.

Pjesë e dytë e lojës nis sërish mirë me vendasit që kanë topin në zotrim duke ushtruar presion në portën kundërshtare. Kastrioti ka një mundësi të shënuar pas një goditje këndi në minutën e 48`, por topi në rrëmujë brenda zonës së Tiranës përfundon në duart e Ilion Likës.

Në minutën e 60`, Cobinah lë fushën e lojës i dëmtuar, në vend të tij futet Oduamadi për Tiranën. Në minutën e 64` Dejan Blazhevski rrëzohet në hyrje të zonës, duke pretenduar penallti, por arbitri nuk është në të njëjtin mendim, duke dhënë vetëm rivënie fundore.

Tirana bëhet me kërkuese për goline tretë, që do ti jepte siguri. Faullet e shpeshta dhe dëmtimet ulin ritmin e pjesës së dytë të lojës, ndërkohë që Ze Maria kryen zëvendësimin e rradhës në minutën e 72`, ku në vend të Ngoo që lë fushën futet Tony Maveje.

Dy minuta më vonë, në të 74` Tirana shënon golin e tretë të takimit me anë të Blazhevskit. Sulmuesi ndërmerr një aksion pothuajse identik si ai i golit të Kastriotit në pjesën e parë të takimit, duke vrapuar nga mesi i fushës me topin në këmbë, arrin të shmang portierin dhe dërgon sferën në rrjetë, 1-3 për Tiranën.

Vendasi nuk dorëzohen, teksa në minutën e 83` të takimit, pas një goditje dënimi krutanët shënojnë golin e dytë, duke ngushtuar shifrat në 2-3. Ky gol u jep zemër futbollistëve të Kastriotit, të cilët hidhen të gjithë në sulm për të gjetur golin e barazimit por pa mundur të shfrytëzojnë si duhet rastet e krijuara në minutat e mbetura, edhe pse mund të kishin barazur në minutën e parë të shtesës duke  shpërdoruar mundësinë.

Me këtë fitore të vuajtur të Tiranës, ekipi bardheblu merr tre pikë të rëndësishme në kampionat, të cilat e ngjisin në vendin e shtatë me 8-të pikë në renditje. Sakaq Kastrioti zbret në vendin e fundit të renditjes, pas fitores së sotme të Luftëtarit në shtëpi ndaj Kamzës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat