Një herë e një kohë ishin armiq të betuar: Interi e Juventusi luftonin për dominim në Itali dhe Massimo Moratti bënte gjithka për të ndërtuar skuadra fituese, por kishte edhe episode si penalltia e famshme e Iuliano-s ndaj Ronaldo-s, që shtonin helmin mes dy klubeve legjendare.
Tani ka ndryshuar gjithka: Juventusi dominon totalisht në Itali, Andrea Agnelli ka ndërtuar një institucion modern dhe që qëndron larg polemikave e akuzave, ndërsa Massimo Moratti është thjesht një tifoz, sepse ka vite që është shkëputur nga Interi.
Befasia e madhe është se presidenti aktual i Juventusit ka menduar pikërisht Moratti-n si kandidat për kreun e Federatës Italiane të Futbollit. Kjo e fundit është ende pa president, që prej largimit plot polemika të Tavehio-s, ndërsa së shpejti do të mbahen zgjedhjet dhe duhet gjetur një kandidat i fuqishëm, për të evituar sërish shtyrjen e procesit dhe ndarjen e votuesve.
Në media po shtohen zërat se Agnelli do të kandidojë Moratti-n dhe ky i fundit është mjaft i befasuar: “Për momentin nuk mund të komentoj, sepse nuk jam takuar ende me Agnelli-n. Natyrisht që jam i habitur, dua të flas me të dhe të kuptoj pse ka në plan të kandidojë mua, nëse ka ndërmend ta bëjë, sepse deri tani nuk kam dëgjuar ndonjë deklaratë të tij”.