Akuzat për dhunë seksuale ndaj Cristiano Ronaldos

Futboll

Akuzat për dhunë seksuale ndaj Cristiano Ronaldos

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 10:41
Akuzat për dhunë seksuale ndaj Cristiano Ronaldos

Akuzat për dhunë seksuale ndaj Cristiano Ronaldos, që e kanë origjinën në një ngjarje të vitit 2009, mund të shembin perandorinë ekonomike të yllit portugez. Ish-modelja Kathryn Mayorga pretendon se është përdhunuar nga futbollisti i Juventusit 9 vite më parë në Las Vegas dhe tashmë zhurma e madhe po shqetëson kompanitë e shumta që i japin miliona euro çdo vit Ronaldos, për ta pasur si imazh të vet.

Corriere della Sera raporton se sponsorët e Ronaldo-s po ndjekin me shumë shqetësim këtë histori dhe drejtuesit e Nike ka deklaruar për agjencinë Associated Press: “Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për akuzat e rënda ndaj Ronaldos dhe do të vijojmë ta monitorojmë nga afër situatën”. Kolosi i veshjeve sportive, që e ndjek Ronaldon prej vitit 2003, ka një kontratë “të përjetshme” me portugezin, me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, por natyrisht gjithçka ndryshon nëse Ronaldo shpallet fajtor.

Nuk është vetëm Nike kompania që mund të braktisë Ronaldon, sepse edhe shumëkombëshja e videolojërave EA Sports ka theksuar: “Po monitorojmë me vëmendje situatën, sepse ambasadorët tanë duhet të mishërojnë vlerat e kompanisë sonë”.

Edhe Save the Children është i shqetësuar: “Jemi të demoralizuar nga këto lajme dhe po punojmë për të grumbulluar informacione”.

Ndërkaq, Juventusi ka dalë hapur në mbrojtje të Ronaldos, por reagimi zyrtar ka revoltuar shumë njerëz, sepse komunikata kishte një qëndrim të çuditshëm, ku vihej theksi te profesionializmi i portugezit, që në fakt ka vetëm 2 muaj në Torino: “Në këto muaj Cristiano ka treguar profesionalizëm dhe seriozitet. Ato që kanë ndodhur para 10 vitesh nuk e ndryshojnë këtë opinion, që e ka krijuar çdo person që ka pasur kontakt me këtë kampion të madh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat