Mourinho i godet mediat pas fitores së Man Unitedit: Keni nisur aksion për të më shkarkuar

Futboll

Mourinho i godet mediat pas fitores së Man Unitedit: Keni nisur aksion për të më shkarkuar

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 23:25
Jose Mourinho

Jose Mourinho i ka akuzuar mediat dhe kritikët se kanë nisur një aksion për ta shkarkuar atë nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit, pasi skuadra e tij bëri luftë dramatike për t’ia ruajtur atij pozitën me një fitore 3-2 me rikthim ndaj Newcastle Unitedit të shtunën.

Pak orë pasi mediat britanike raportuan se Mourinho do të shkarkohej pavarësisht rezultatit të ndeshjes së Unitedit ndaj Newcastle, djelmoshat e portugezit u tronditen pasi morën dy gola të shpejtë në 10 minutat e parë të takimit në “Old Trafford”.

Megjithatë, pasi u fishkëllyen pas përfundimit të pjesës së parë, lojtarët e Unitedit e shmangen humbjen apo edhe barazimin në një pjesë të dytë tejet drithëruese.

Goli nga goditja e lirë e Juan Matas u përcoll nga goli i barazimit i shënuar nga Anthony Martial, të cilat përgatiten skenën për golin e fitores të Alexis Sanchezit, i cili pasi ishte ulur në stol nga Jose Mourinho u fut në lojë në pjesën e dytë.

Se a do ta ruajë Mourinho postin e trajnerit të Unitedit apo jo mbetet të shihet, por portugezi ka reaguar ashpër në konferencë për media pas ndeshjes, duke iu përgjigjur spekulimeve në media dhe komenteve të kritikëve të tij.

“Siç më tha edhe një mik këtë mëngjes, nëse bie shi nesër në Londër, është faji im. Brexit, është faji im. Duhet të jem gati për këtë. Shumë ligësi dhe aksion për të më shkarkuar mua”, tha Mourinho.

“Në fund ne e fituam ndeshjen dhe mendoj se e merituam. Edhe tifozët e merituan, mendoj”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat