Mala gjunjëzon Kukësin

Futboll

Mala gjunjëzon Kukësin

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 16:04
Mala gjunjëzon Kukësin

Partizani rikthehet të komandojë Superioren. Në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, përballë Kukësit, që ishte edhe ekipi pritës, të kuqtë e Gegës fituan me një gol të shënuar nga Esat Mala në minutën e 14-të. Ishte një kundërsulm perfekt i kryeqytetasve, me Bardhin që dha asistin e zgjuar për Malën, i cili kaloi topin mbi portierin Frashëri, duke e dërguar në rrjetë.

Kukësi ka pasur vetëm një rast me Rexhinaldon, por sulmuesi nuk shënjestroi portën e Hoxhës, me kokë. Grintë, shumë ndërhyrje të ashpra dhe ritëm. Kështu është karakterizuar pjesa e parë e takimit, teksa të kuqtë kanë pasur edhe një tjetër mundësi, por kanë shpërdoruar kundërzbritjen, duke bërë zgjedhje të gabuar në pasim.

Në pjesën e dytë, Kukësi i afrohet golit të paktën dy herë, me Kalanë dhe me Shafik, por në të dy rastet, futbollistët e verilindorëve nuk gjetën shënjestrën e duhur. Hoxha u ngjit në katedër kur i tha jo goditjes me kokë të Shpehar, duke fluturuar dhe duke devijuar në goditje nga këndi.

Në anën tjetër, Frashëri bëri të njëjtën gjë duke mohuar golin e dytë. Pas katër minutash shtesë, erdhi vërshëllima e arbitrit që mbylli këtë supersfidë. Për Partizanin është fitorja e gjashtë në këtë kampionat dhe e pesta radhazi. Që pas barazimit ndaj Laçit, skuadra e Gegës ka marrë katër fitore radhazi.

Kukësi – Partizani      0:1

Shënues: Mala 19′

Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Uilliam, Ethemi, Dzaria (Limaj 46′), Shkodra, Shafik (Shpehar 71′), Kalaja (Çyrbja 60′), Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Krasniqi, Qaqi, Zguro.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Hila, Asani, Bardhi (Hebaj 70′), Mala (Çinari 74′), Mensah (Kote 58′). Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, Gojkoviç, Kalari, So Hyon.

Kartonë të verdhë: Dzaria 30′, Shameti 53′, Limaj 81′ / Asani 16‘, Hebaj 90′

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Rejdi Avdo, Nertil Bregasi, Rudin Preca . Gjyqtarë linje: Emirion Sino, Klajdi Kola. Delegat: Millan Baçi; Vëzhgues: Sazan Velçani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat