Tovërlani: Nuk guxojmë në asnjë moment të lazdrohemi

Futboll

Tovërlani: Nuk guxojmë në asnjë moment të lazdrohemi

Nga: Kemajl Goca Më: 8 tetor 2018 Në ora: 17:32
Tovërlani: Nuk guxojmë në asnjë moment të lazdrohemi

Po zhvillohet një rivalitet i madh mes skuadrave në elitën e futbollit të Kosovës, me përjashtim të KEK-ut nga Kastrioti që nuk ka treguar asgjë deri me tash dhe është fundosur në renditjen e klasifikimit. Në nëntë javët e zhvilluar deri me tash, ka pasur rezultate të papritura, ku disa herë edhe mysafirët janë kthyer me pikë të plota. Skuadra që gradualisht po këndellet dhe po futet në seri të mirë të rezultateve është Ferizaj.  Ferizajasit me dy fitore rresht (2:0 ndaj Drenicës dhe së fundi me 0:1 me Ballkanin) dukshëm kanë përmirësuar bilancin dhe shtojnë apetitet për t’u ngjitur sa më lartë në renditje.  

Kryetrajneri Afrim Tovërlani me një punë të palodhshme gradualisht ka stabilizuar Ferizajn, e cila renditet në pozitën e nëntë me 10 pikë të mbledhura. Në fakt, Ferizaj kishte filluar përgatitjet me vonesë, megjithëkëtë Tovërlani me një punë intensive ka arritur ta komponojë ekipin dhe tani janë shndërruar në një rival të frikshëm për të tjerët.  Për shkak të aktiviteteve të kombëtares së Kosovës, tani Superliga do të pushojë së paku për 10 ditë, që është një mundësi e mirë për secilën ekip që të përgatitet sa më mirë, të paktën t’i evitojnë ato gabime që iu shfaqën deri me tash.

“Bota sot”: Ferizaj gradualisht po e gjen lojën e vet, dy fitore rresht, a janë sinjale që po tejkalohen shumë telashe të lojës?

Afrim Tovërlani: Mendoj që jemi shumë më mirë, por prapë ende kemi shumë punë sidomos sa i përket harmonizimit të reparteve. Disa ndeshje që i kemi humbur më shume kanë qenë gabime individuale apo të repartit duke mos e njohur sa duhet mirë njëri - tjetrin.

“Bota sot”: A është një pikëkthese, një vetëbesim për futbollistët fitorja në Therandë?

Afrim Tovërlani: Sigurisht që është, sidomos në këtë moment. Tri - katër ndeshjet e fundit ekipi ka filluar të funksionoj më mirë si tërësi sepse ishe koha e shkurtër që na penalizoi më së shumti. Mirëpo, kjo nuk do të thotë asgjë dhe nuk guxojmë në asnjë moment të lazdrohemi. Ka edhe shumë ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë.

“Bota sot”: A i shkon përshtati Ferizajt pushimi pothuajse dhjetëditorë, shkaku i aktiviteteve të Kombëtares?

Afrim Tovërlani: Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ka qenë klubi i Ferizajt, mendoj se na shkon përshtati. Është një periudhë e mirë për një “infuzion” dhe për një konsolidim të mirë.

“Bota sot”: Sfida e radhës në Kastriot kundër KEK-ut dhe pastaj në Ferizaj ndaj Dritës, a shpresoni se mund të merrni pikë maksimale?

Afrim Tovërlani: Sipas meje çdo ndeshje e radhës është më e vështira. Në asnjë mënyrë nuk fitohen ndeshjet lehtë, pra as ndaj KEK-ut. Mendoj se duhet me seriozitetin më të madhe t’i qasemi të gjitha ndeshjeve si me KEK-un si me Prishtinën si me Dritën. Besoj se mundemi shumë më shumë se deri tani.

“Bota sot”: Në nëntë javët e para, duket një lëmsh i madh në tabelë për nga afërsia e pikëve mes skuadrave, a mendoni se do të jetë një kampionat më shumë paqartësi sidomos për skuadrat që luftojnë për mbijetesë dhe katër vendet e para?

Afrim Tovërlani: Deri me tani vetëm ‘Nikli’ ka pasur ecuri më stabile dhe varet nga Prishtina e Llapi a do të lejojnë shkëputjen e të parës. Me sa po shoh deri tani Prishtina dhe Llapi kanë destabilizime dhe nuk po arrijnë seri të fituara. Mendoj se çdo ekip është në gjendje të mposht secilin dhe ende është herët të parashikojmë për pozitat në tabelë. Faktor tjetër që po ndikon në ndeshje është referimi.

“Bota sot”:  A duket Ferizaj i kompletuar në reparte apo ka nevojë edhe për ndonjë përforcim?

Afrim Tovërlani: Nuk jemi të kompletuar dhe për këtë mund të bisedojmë vetëm pas përfundimit të sezonit vjeshtor. Një e di që punën time do ta kryej me nder dhe pa hile. Mund edhe të gaboj por kurrë për teke apo inate qe do ta dëmtonin ekipin. Ferizaj meriton të jetë në Superligë dhe ekipi meriton më shumë përkrahje. Nuk ka nevojë te duken individët por duhet të ruhet ekipi dhe emri i klubit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat