Kosova kremton në shtetin e Argjentinës

Futboll

Kosova kremton në shtetin e Argjentinës

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 17:53
Kosova kremton në shtetin e Argjentinës

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) bashkë me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), si dhe tërë Ekipin Olimpik të Kosovës, kanë festuar në Buenos Aires medaljen historike të Kosovës nga Lojërat Olimpike për të rinj (LOR), Buenos Aires 2018. Xhudistja, Erza Muminoviqi, fitoi të bronztën në kategorinë -44 kilogramë, në debutimin e Kosovës në LOR.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, theksoi se pas medaljes së fituar në Lojërat Evropiane nga xhudistja Nora Gjakova të artës së Majlinda Kelmendit në LO RIO 2016, edhe 7 tetori 2018 do të hyjë në historinë e Lëvizjes Olimpike në Kosovë.
“Erza Muminoviqi bëri që të krenohet çdo shqiptarë kudo që është. Ky sukses normalisht i dedikohet trajnerit të xhudos, Driton Kukës. Atje ekziston një ekip,  nuk është vetëm Dritoni, janë edhe trajnerët, Fatos Tabaku, kryetari i federatës (Agron Kuka) dhe gjithë ata që punojnë me një plan strategjik, me një strategji që befason gjithë botën. Konsiderata e KOK-ut ndaj punës që bëhet në Federatën e Xhudos së Kosovës (FXHK) është e jashtëzakonshme dhe në këtë drejtim krejt mirënjohjet i përcillen FXHK-së, por aktorja kryesore këtu është Erza, të cilën duam ta përgëzojmë”, tha i pari i KOK-ut, Besim Hasani.
“Ky takim është organizuar për ta respektuar Ekipin Olimpik, Erzën për rezultatin e saj të jashtëzakonshëm, me dëshirën më të mirë që edhe ju sportistët tjerë ta jepni maksimumin nga kapaciteti që e keni dhe nëse e bëni këtë do t’ju konsiderojmë si fitues të medaljes”, theksoi presidenti Hasani, duke e quajtur vlerë të shtuar praninë e ministrit Kujtim Gashi, duke kujtuar edhe bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të frytshëm që KOK ka me spektrin qeveritar.
Nga ana e tij, ministri Kujtim Gashi shprehu kënaqësinë e të qenurit pranë sportistëve në Buenos Aires, në veçanti për të festuar medaljen e bronztë të Erzës. “Për mua është hera e parë që ndodhem në një ngjarje të nivelit të tillë. Medaljen e Majlindës e kam përjetuar nga një pozitë tjetër, ndërsa të Erzës si ministër, për çka më bënë të ndihem mirë. Në të njëjtën kohë inkurajoj edhe sportistët tjerë që me punë dhe angazhim të ndjekin rrugën e Erzës me rezultate të mira. Po e shoh se janë një ekip që premton shumë dhe kjo energji që kanë do të na sjellin rezultate më të mira në të ardhmen”, theksoi ministri Gashi.
Nënpresidenti i KOK-ut, Memli Krasniqi, njëherit nënkryetar i FXHK-së, theksoi se nuk ka gëzim më të madh se sa të mblidhemi për të festuar medalje Olimpike. “Para pesë vitesh e kemi pasur ëndërr veç të marrim pjesë, kurse tani synimet tona janë për të fituar medalje. Jam i sigurt që të gjithë këta atletë do të tregojnë sukses edhe suksesi është përfaqësimi i denjë i vendit që e kemi dhe e përfaqësojmë”, u shpreh Krasniqi.
Kosova po përfaqësohet në LOR Buenos Aires 2018 me pesë sportistë: Erza Muminoviq (xhudo), Melisa Zhdrella (not), Erdonis Maliqi (boks), Bleron Fetaovski (peshëngritje) dhe Muhamet Ramadani (atletikë).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat