Nuk tregoi respekt për shokët e skuadrës

Futboll

Nuk tregoi respekt për shokët e skuadrës

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 12:33
Vidal

Pep Segura, menaxher i përgjithshëm i Barcelonës, dha një intervistë për “Mundo Deportivo”. Në të, përveç komentit mbi çështjet që lidhen me tregun e transferimeve, shfrytëzoi rastin për t’i dhënë një “tërheqje veshi” publike Arturo Vidal. Futbollisti nga Kili përdori rrjetet sociale, para pak ditësh, për të shprehur pakënaqësinë e tij rreth mosaktivizimit nga trajneri Ernesto Valverde.

“Ai mesazh ka një konotacion të dyfishtë. Nga njëra anë tregon se Vidal dëshiron të integrohet shpejt te Barcelona dhe ta ndihmojë ekipin, ndërsa nga ana tjetër shfaqet personalisht i frustruar që nuk ka më shumë minuta lojë në dispozicion.

Por, mbi të gjitha, ai duhet të ketë respekt për kolegët, dhomën e zhveshjes ku bën pjesë, trajnerin dhe klubin. Në njëfarë mënyre, Vidal duhet të jetë i vetëdijshëm se këto statuse në rrjetet sociale do të dëmtojë më shumë atë se këdo tjetër. Unë mendoj se kjo duhet ndrequr”, – tha menaxheri i përgjithshëm i katalanasve.

Dy fjalë edhe për vazhdimësinë e trajnerit Valverde: “Kur të vijë koha për të marrë vendimin, ai do të merret. Ne jemi të kënaqur me punën e trajnerit, i cili ka një kontratë. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar rreth kësaj çështjeje”.

Një konfirmim i menaxherit vjen edhe për rinovimin e Jordi Alba: “Alba do të vazhdojë me ne, nuk ka dyshime për këtë”. Po çfarë shkoi keq, që nënshkrimi me Griezmann nuk u bë realitet? Pep Segura përgjigjet: “Me Griezmann nuk ka ndodhur asgjë, thjesht janë vendime që njerëzit i marrin. Nuk i kishim dhënë fjalën njëri-tjetrit për ndonjë gjë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat