Optimistë para sfidës me Izraelin

Futboll

Optimistë para sfidës me Izraelin

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 16:23
Pamje nga konferenca

Portieri Etrit Berisha dhe sulmuesi Eros Grezda dolën përpara mediave në vigjilje të ndeshjes zyrtare eliminatore të së dielës (20.45) në Ber Sheva me Izraelin. Sipas futbollistëve, angazhimi është maksimal për të marrë fitoren. Portieri Berisha për këtë takim theksoi: “Një ndeshje e cila është vlerësuar maksimalisht nga ana jonë. Tashmë jemi me pikë të barabarta të tre skuadrat në grup. Klima në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë bashkë do shkojmë për të marrë fitoren.

Mundësitë ekzistojnë për të dalë me rezultat pozitiv pasnesër. Nisur edhe nga humbja dje e Skocisë, nëse marrim rezultat pozitiv të dielën në Izrael, atëherë transferta që humbëm në Skoci pak do të vlejë. Tentojmë fitore, por të them të drejtën, edhe barazimi nuk do të ishte i keq”.

“Nuk është aspak e pamundur. Janë një kundërshtar i fortë, por edhe ne kemi forcën tonë. Njohim lojën e tyre, nisur edhe nga fitorja karshi tyre një muaj më parë në Elbasan. Na pret një 90 minutësh shumë i vështirë, por me përqendrimin e duhur do ia dalim për të arritur një rezultat pozitiv.”,- theksoi Berisha.

Ndërkaq, Grezda ka besim maksimal që skuadra do të reagojë në mënyrën më të fortë të mundshme: “Jemi në një moment, ku fitorja do të ishte një shtysë shumë e madhe, për ekipin. Kemi punuar dhe do të vijojmë të punojmë shumë në seancat e ardhshme për të arritur objektivin tonë. Kam besim që mund t’ia dalim, edhe pse kundërshtari ka pikat e tij e të forta, me të cilat na vuri në vështirësi edhe në takimin e parë në Elbasan. Mendoj që jemi tre skuadra shumë afër njëra-tjetrës, në një kohë që edhe Izraeli ka pika të forta dhe kërkon shumë përqendrim e angazhim. Nga fitorja në Turqi mungojnë vetëm Sadiku e Roshi. Të tjerët janë po ata. Por e them me bindje që, nëse përsërisim ndeshjen e Turqisë, nuk na ndal dot as Izraeli e as Skocia”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat