Gjeraj: Besoj në fitore

Futboll

Gjeraj: Besoj në fitore

Nga: Kemajl Goca Më: 15 tetor 2018 Në ora: 19:20
Gjeraj: Besoj në fitore

Rikthehet Kampionati i Kosovës pas një pushimit disa ditësh për shkak të aktiviteteve të kombëtareve në Ligën e Kombeve në futboll. Java e 10-të e elitës së futbollit tonë do të veçohet me disa ndeshje, por dy janë shtyrë për me vonë. “Komisioni i Garave i IPKO Superligës me kërkesë të klubeve ka vendosur që dy ndeshjet e javës së 10-të në IPKO Superligë, Feronikeli – Prishtina dhe KEK-u – Ferizaj të shtyhen për 7 nëntor, për shkak të angazhimit të lojtarëve të këtyre klubeve me ekipet kombëtare. Ndërkohë, ndeshjet e tjera do të zhvillohen në mesjavë”, bëhet e ditur nga FFK-ja.

Nesër  (14.45) janë në program dy ndeshje, sfida mes rivalëve të vjetër Lirisë nga Prizreni dhe Trepçës nga Mitrovica, ndërsa Flamurtari i Prishtinës sfidohet nga Drenica e Skenderajt.  Kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj, tha se janë të mobilizuar dhe kërkojnë fitoren e radhës pas asaj në udhëtim me 1:0 kundër Gjilanit. “Mendoj që kjo pauza 10 ditore na ka shërbye mjaft që të përgatitemi për ndeshje me Trepçën ’89, që të dalim me fitore”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gjeraj. Ku janë përparësitë e Lirisë?

“Përparësitë tona janë si çdo herë terreni vendas, publiku dhe loja ekipore e jona që e shfaqim në çdo ndeshje, plus motivi i madh për rezultat”, tha kapiteni. Gjeraj beson se do të vazhdojnë me rrugën e rezultateve të mira.

“Pas fitores në Gjilan edhe disa ndeshjeve përkundër që kemi humbë, kemi shfaq lojëra të mira, vetëm rezultatet na kanë munguar dhe kësaj here besoj që do të shfaqim edhe lojë edhe rezultat edhe pse Trepça ‘89 ka një trajner shumë të mirë, që e vlerësoj shumë dhe lojtarë të mirë që ka marrë në ekip.

Mirëpo, ne jemi të përgatitur për çdo gjë dhe besoj që do të dalim fitues”, përfundoi Gjeraj. Në taborin mitrovicas shprehen optimistë se do të kthehen me rezultat pozitiv nga stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren. Ndërkaq, të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshje tjera, Drita ndeshet me Ballkanin dhe Llapi pas shumë problemeve dhe shkarkimit të trajnerit prof. Bylbyl Sokoli, do të ballafaqohen me Gjilanin.

IPKO Superliga, java e 10-të

E martë

Liria-Trepça‘89

Flamurtari-Drenica

E mërkurë

Drita-Ballkani

Llapi-Gjilani

Ndeshjet fillojnë në orën 14.45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat