Krasniqi shpreson që me Dritën ta vazhdojnë serinë pozitive

Futboll

Krasniqi shpreson që me Dritën ta vazhdojnë serinë pozitive

Nga: Kemajl Goca Më: 19 tetor 2018 Në ora: 18:58
Endrit Krasniqi në veprim

Kampioni në fuqi Drita nga Gjilani është kthyer në seri të mirë të rezultateve në elitën e futbollit dhe synojnë që këtë ecuri ta vazhdojnë edhe në javët e ardhshme. Pas barazimit si vendas me rezultat 1:1 me Trepçën ’89 (java e 8-të), pastaj fituan me 2:1 në Skenderaj kundër Drenicës (java e 10-së) dhe së fundi me 6:1 e mundën Ballkanin nga Theranda, Drita tani është më e qetë dhe shpreson se do të janë rival i denjë në luftë për mbrojtjen e titullit të kampionit.

Rezultatet e tri ndeshjeve të fundit janë frymëzim për kolektivin që drejtohet nga trajneri i mirënjohur shqiptar, Shpëtim Duro. Mesfushori i Dritës, Endrit Krasniqi, shprehet se  janë në rrugë të mirë me rezultate dhe me bindje se shumë shpejt do të jenë afër kreut të tabelës. Skuadra kaltër e bardhë ka lënë pas krizën e rezultateve dhe tani kërkon gradualisht të janë sa më lartë në renditjen e klasifikimit të IPKO Superligës së Kosovës.

Drita është në pozitën e tetë me 13 pikë, ka katër fitore, një barazim dhe pesë humbje. Krasniqi tha se është një kampionat interesant dhe ka nënvizuar edhe cilat skuadra mund të luftojnë për titullin e kampionit.

“Bota sot”: Një fitore e thellë e Dritës ndaj Ballkanit, a po rikthehet vetëbesimi dhe fuqia e kampionit?

Endrit Krasniqi: Një fitore shumë e rëndësishme për ne. U dashtë një fitore e tillë dhe shpresoj të vazhdojmë me serinë pozitive.

“Bota sot”: Tani skuadra juaj është 10 pikë larg liderit Feronikeli, a shpresoni se mund të shkrihet kjo epërsi, ku e sheh forcën?

Endrit Krasniqi: Mendoj se kampionati është i gjatë dhe do të ketë shumë pikë, të cilët mund të marrim. Mendoj se kemi kualitet në ekip, vetëm se na duhet të punojmë ndeshje pas ndeshje dhe të arkëtojmë pikët për t’iu afruar kreut të tabelës.

“Bota sot”: Të shtunën (sot, 14.45) kundër Ferizajt, një sfidë e vështirë përveç fitores iu kënaq edhe një pikë?

Endrit Krasniqi: Duhet të arkëtojmë tri pikë nëse dojmë të jemi më afër kundërshtarëve të cilët janë në krye të tabelës.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh si kandidatë kryesor për titull?

Endrit Krasniqi: Mendoj se deri me tani skuadrat kryesore për titull i shoh Feronikelin dhe Prishtinën.

“Bota sot”: Çfarë i mungon Dritës deri me tash dhe a ka qenë e dëmtuar?

Endrit Krasniqi: Deri me tani kemi pas seri negative dhe nuk mendoj se i mungon diçka. Nuk jam unë të cilësoj se a jemi dëmtuar apo jo, ka njerëz përgjegjës të cilët janë për këto gjëra.

“Bota sot”: A mendoni se kampionati është shumë më i mirë se vitin e kaluar dhe me rivalitet më të madh?

Endrit Krasniqi: Mendoj se nuk ka dallim, sepse edhe vjet ishte kampionat i mirë dhe mendoj se edhe këtë vit do të jetë interesant deri në fund.

“Bota sot”: Çfarë iu premton tifozëve ‘Intelektualë’ dhe sa janë frymëzim për ekip?

Endrit Krasniqi: Çdo lojtar do të jap maksimumin që të arrij qëllimin që kemi. Tifozët që kemi ne janë ata që na motivojnë që të bëjmë edhe më shumë dhe me përkrahjen e tyre besoj se do të arrijmë qëllimet që kemi.

IPKO Superliga, java e 11-të

E shtunë

Ferizaj-Drita  14.45

Ballkani-Flamurtari      14.45

Drenica-Liria 14.45

Prishtina-KEK-u    15.00

E diel

Trepça ’89-Llapi   14.45

Gjilani-Feronikeli  14.45

Liga e Parë, java e 10-të

E shtunë

Fushë Kosova-Vushtrria

2 Korriku-Bashkimi

Onix-Vitia

E diel

Drenasi-Istogu

Dukagjini-Besa

Vëllaznimi-Vllaznia (P)

Arbëria-Kika

Ndeshjet fillojnë në orën 15.00

E hënë

Ramiz Sadiku-Trepça 14.00

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat