37-vjeçar, por kërkohet nga Reali e Milani

Futboll

37-vjeçar, por kërkohet nga Reali e Milani

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 15:00
Zlatan Ibrahimoviç

Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të shënojë gola për Los Angeles Galaxy. Së fundmi, sulmuesi suedez la gjurmën e tij në ndeshjen me Minnesotën, ku shënoi një gol dhe dha një asist në fitoren e skuadrës kaliforniane, që po e sheh veten edhe më pranë kualifikimit për në fazën e “play-off”-it në kampionatin amerikan të futbollit.

Paraqitjet e 37-vjeçarit në fushën e lojës kanë bërë që të shtohen zërat e merkatos rreth tij. Kohët e fundit, ai që ka shfaqur interesin për të është pikërisht Reali i Madridit, ndërkohë që më parë është folur edhe për mundësinë e kthimit të suedezit te Milani.

Sipas medies spanjolle, klubi “merengues” mendon që të sigurojë shërbimet e Ibrahimoviç në muajin janar, deri në fundin e sezonit, për të rritur forcën sulmuese të Realit të Madridit në këtë fillim aspak të mirë të sezonit.

Deri tani, “Los Blancos” kanë në bilancin e tyre 18 gola të shënuara, në 12 ndeshje të zhvilluara, statistikë kjo që përbën një shqetësim të madh për drejtuesit e klubit.

Zlatan Ibrahimoviç, i cili pas dëmtimit të rëndë të pësuar me Manchester United zgjodhi të luajë në Major League Soccer me LA Galaxy, në 25 ndeshje të zhvilluara me skuadrën kaliforniane ka mundur të shënojë 22 gola.

Suedezi nuk ka bërë të ditur nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe në vitin 2019, ndaj ka deklaruar se ndien nevojën për të pushuar pak. Por, interesi i Realit të Madridit mund të ndryshojë gjërat për Ibrahimoviçin, që mund të tundohet më shumë nga aventura në Madrid, sesa ajo e rikthimit te Milani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat