Gjeraj: Te Liria ka atmosferë, por jemi në krizë të rezultateve

Futboll

Gjeraj: Te Liria ka atmosferë, por jemi në krizë të rezultateve

Nga: Kemajl Goca Më: 22 tetor 2018 Në ora: 17:37
Robert Gjeraj

Atmosfera është shumë e mirë, punohet me përkushtim në klubin e futbollit Liria, tha kapiteni i këtij kolektivit Robert Gjeraj. Futbollisti me përvojë zotohet se shumë shpejt do të tejkalojnë krizën e rezultateve. Liria e Prizrenit është në një situatë të vështirë të rezultateve, e cila në 11 ndeshje ka 3 fitore e 8 humbje, duke u renditur në pozitën e parafundit (i 11-ti) me 9 pikë. Kapiteni tha se pikët nuk janë reale, por në bazë të lojërave është dashur të kenë edhe më shumë.

“Mendoj se përveç ndeshjes me Trepçën ’89 qe kemi qenë totalisht jashtë formës, në takimet tjera nuk na priu fati për rezultat pozitiv. Në të gjitha ndeshjet kemi dëshmuar lojëra të mira, por fati nuk është me ne sikurse edhe me Drenicën, ku në pjesën e parë patëm pesë raste shënimi, por nuk shënuam”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gjeraj.

Kapiteni e pranon se janë në krizë të rezultateve, por sipas tij atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të bashkuar.  “Jemi në krizë të rezultateve por shpresojmë se shumë shpejt do të tejkalojmë këtë gjendje. Atmosfera është shumë e mirë brenda klubit, kemi harmoni dhe vetëm rezultatet na mungojnë. Gjithë lojtarë jemi bashkë dhe sigurisht se jemi të vetëdijshëm për krizën e rezultateve. Mos të harrojmë se sivjet ka ndryshuar komplet ekipi me lojtarë.

Nuk e kemi fondin e lojtarëve të vitit të kaluar, por edhe në anën tjetër për ne si klub me lojtarë të ri tri ndeshje për një javë është ngarkesë.  Nuk po them për krejt Superligën, për ne si FC Liria është ngarkesë”, theksoi mesfushori.  Gjeraj beson se deri në fund të vjeshtës do të mbledhin sa më shumë pikë dhe të tejkalojnë edhe krizën e rezultateve.

“Është vetëm faza e parë e kampionatit, si jemi zhytur në krizë të rezultateve edhe duhet të dalim, u pa edhe me fitoren në udhëtim me rezultat 1:0 kundër Gjilanit, që mundemi me dal prej krizës së rezultateve, po ashtu edhe publiku i Drenicës na ka duartrokitur për lojën shumë të mirë, por ishim të pafat. Qëllimi ynë është me mbledhë sa më shumë pikë dhe me siguruar ekzistencën. Ndryshimi është i madh në ekip me lojtarë, ku ka ndikuar edhe në rezultate dhe në kampionat kundërshtari nuk ta falë asnjë gabim”, thotë Gjeraj, i cili mendon për takimin me Ballkanin.

“Ndeshja e parë në Prizren e kemi humb nga Ballkani, tani shpresoj se do ta shfrytëzojmë afërsinë qytet me qytet dhe edhe terrenin e kemi njësoj, që të nxjerrim rezultat pozitiv në Therandë, ta shfrytëzojmë krizën e Ballkanit”, thotë Gjeraj.  

Futbollisti shprehet se i duhet stabilizim në mbrojtje. “Na duhet mu stabilizuar në fazën defensive, ku bien shumica e golave. Ne kemi krijuar 10-15 raste dhe nuk kemi shënuar, kurse kundërshtari një rast një gol. Kjo po vije më shumë si rrjedhojë që kemi lojtarë të rinj, ndërsa me përvojë jam unë dhe Fatih Karahoda, të tjerët si kanë as dy-tri vjet në Superligë, disa lojtarë janë debutues, si Fitim Susuri që luan për herë të parë në Superligë dhe disa të tjerë. Prandaj shumë lojtarëve të rinj e papërvojë, iu ka dhënë hapësirë me bartur barrën kryesore”, përfundoi Gjeraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat