Para 30 viteve Liria nga Prizreni luajti rol të madh dhe ishte shndërruar në një skuadër të frikshme për klubet ish jugosllave. Në vitin 1988-89, në garat siç quhej atëherë Marshall Tito, Liria si klub që pakkujt ia mbushte syrin, rrëzoi dy skuadra të mëdha nga Kupa. Në radhë të parë, në kuadër të 16-ës së finales, e shokoi klubin e madh kroat Hajdukun e Splitit.
Në stadiumin në Prizren para rreth 10 mijë shikuesve në vitin 1988 e rrëzoi me penallti me rezultat 5:4, pasi sfida kishte përfunduar 0:0. Pastaj në të tetën e finales, në Nish humbi me 1:0 nga Radniçki, por në Prizren fitoi me 1:0 dhe me penallti 3:1 eliminuan klubin serb Radniçki, duke e tronditur kundërshtarin. Në pranverën e vitit 1989 Liria eliminohet në çerekfinale nga Velezhi i Mostarit, pasi si mysafirë humbi me 2:0 dhe në Prizren luajti baras 2:2.