Me Skënderbeun prova e së vërtetës!

Futboll

Me Skënderbeun prova e së vërtetës!

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 12:45
KF Partizani

Dueli i së hënës mund të konsiderohet pa frikë si prova e së vërtetës për Partizanin. Përballja me kampionët në fuqi dhe rivalin kryesor të këtij sezoni Skënderbeun, është një sfidë që mund ti japë tjetër dimension sezonit të të kuqve. Kanë qënë pikërisht korçarët ata të cilët e kanë ndalur këtë sezon Partizanin, në sfidën hapëse të kampionatit me një penallti në minutat e fundit. Që nga ajo humbje armata e drejtuar nga Skënder Gega njeh vetëm fitore, ndonjëherë me lojë bindëse dhe ndonjëherë me cinizëm, madje në këto 8 javë ka pësuar vetëm një gol. Në Selman Stërmasi do të përballen sulmi më i mirë i kampionatit me mbrojtjen më të mirë, dy skuadra që duken thuajse identike në ndërtim por edhe në menaxhim. Partizani i ka besuar të rinjve ndërkohë që klubi për asnjë moment nuk e çon vëmendjen jashtë fushës me sulme mediatike, përkundrazi edhe në ato raste të diskutueshme të vendimeve arbitrare në favor, drejtuesit i kanë kaluar në heshtje. Por të hënën Partizani i Gegës do të tregojë se sa vlen, pasi distanca me Skënderbeun është vetëm 2 pikë dhe një fitore i katapulton të kuqtë si pretendentët kryesorë të këtij kampionati për të fituar titullin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat