Vushtrria pretendon rikthimin në elitë

Futboll

Vushtrria pretendon rikthimin në elitë

Nga: Kemajl Goca Më: 26 tetor 2018 Në ora: 18:38
Labinot Osmani

Në Ligën e Parë të Kosovës po zhvillohet rivalitet i madh për kreun e tabelës po ashtu edhe për katër vendet e para. Është interesant se diferenca mes vendit të parë dhe të katërt nuk dallon më shumë se dy pikë dhe kjo dëshmon luftën e ashpër për kreun e tabelës.  Vëllaznimi nga Gjakova prinë me 22 pikë, ndërsa Dukagjini i Klinës është në pozitën e dytë dhe Besa e Pejës në të tretën me nga 21, kurse Vushtrria në vend të katërt me 20 sosh.  Vushtrria pretendon rikthimin në elitën e futbollit, për këtë është optimist edhe sulmuesi i kësaj skuadre, Labinot Osmani. 

“Mendoj që Vushtrria duhet ta rrisë edhe me tepër nivelin e lojës në vazhdim të kampionatit dhe të tregoj lojëra dhe rezultate maksimale për arritjen e objektivave”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Osmani. Sulmuesi e pranon se këtë edicion  rivaliteti është edhe më i madh në luftë për dy vendet e para, që shpie direkt në elitë.

“Sivjet është rivaliteti më i madh në garë për dy vendet e para, pasi që ekipet janë më të mobilizuara dhe më të organizuara gjithashtu ka ekipe më cilësore se vitin e kaluar”, theksoi ai. Osmani parashikon edhe disa skuadra në garë të fortë për dy vendet e para: “Mendoj që skuadrat si Vushtrria, Vëllaznimi, Besa dhe Dukagjini, do të jenë në garë deri në fund për dy vendet e para, duke mos harruar edhe ndonjë ekip që shumë lehtë mund t’i bashkohet garës, por varet prej rezultateve dhe lojërave që do t’i luajnë në vazhdim”.

Vushtrria nuk e kishte filluar mirë edicionin, por me kalimin e javëve gjejnë qetësinë e rezultateve. “Mendoj që një fillim ndoshta jo edhe sipas pritshmërive, por prej ndeshjes në ndeshje ekipi po tregon ngritje të nivelit të lojës dhe po arrijmë të korrim rezultate. Në fillim na mungoj pak a shumë komponimi i ekipit dhe duhet punë për të bërë gjëra të mëdha”, tha sulmuesi. Sa i përket kushteve Osmani tha se janë duke u përmirësuar: “Kushtet po vijnë duke u përmirësuar në futbollin e Kosovës gjithsesi që përkrahja e shikuesve nuk mungon kurrë në Vushtrri, kështu që  edhe sivjet prezenca dhe përkrahja e tyre nuk mungon asnjëherë”. A ka gjasa Vushtrria të përfundojë e para në stinorin vjeshtor?

“Jemi dy pikë larg Vëllaznimit dhe nëse deri në ndeshjen e fundit i fitojmë të gjitha, mundësia për të përfunduar të parët janë të mëdha dhe realisht e realizueshme. Gjithsesi rezultatet janë gjithnjë që kërkohen dhe rezultatet të mbajnë në formë. Presioni i rezultateve në Vushtrri është pak sa më i theksuar për dallim nga ekipet tjera, pasi që gjithmonë kërkohet maksimumi dhe kërkohen rezultate të mira”, tha Osmani. Futbollisti është në formë të mirë. “Po e gëzoj një formë të mirë, por e rëndësishme, gjithsesi, në rend të parë janë rezultatet e ekipit”, përfundoi Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat