Derbi i bregdetit sërish pa fitues, në fushë mbizotërojnë polemikat

Futboll

Derbi i bregdetit sërish pa fitues, në fushë mbizotërojnë polemikat

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 19:07
Teuta dhe Flamurtari

Në fazën e parë, në “Niko Dovana”, derbi i bregdetit mes Teutës dhe Flamurtarit përfundoi në barazim pa gola, ndërsa sot në Vlorë, të dy ekipet ndanë sërish pikët, por me ndryshimin se tifozët panë topin të shkojë dy herë në rrjetë.

Gjithçka u zhvillua në pjesën e parë, kur Danilo Alves shënoi golin e dytë radhazi për skuadrën e teknikut Ilir Daja, duke çuar topin në rrjetën e Isli Hidit në minutën e 24-t të takimit.

Megjithatë Teuta reagoi menjëherë dhe arriti të rikthejë baraspeshën vetëm 9 minuta më vonë, kur sulmuesi Gerhard Progni ekzekutoi mjaft mirë një goditje dënimi dhe çoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, për t’u evidentuar është një nervozizëm i vendasve, që morën plot 6 kartonë të verdhë, nga 7 në total, duke shtuar edhe atë të Franc Veliut në 45-minutëshin e parë.

Në minutën e fundit shtesë, argjentinasi Agustin Torasa arriti të shënojë golin e dytë për vlonjatët, por gjyqtari Eldorian Hamiti vendosi ta anulojë, për shkak të një marrjeje të dyshuar të topit me dorë, nga ana e sulmuesit të Flamurtarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat