Duro me mision të pamundur

Futboll

Duro me mision të pamundur

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 12:27
Gjashtë ndeshje rresht pa fitore në kampionat

Gjashtë ndeshje rresht pa fitore në kampionat, vetëm 3 gola të shënuar ndërkohë dhe Kamza e sheh veten tashmë në vendin e parafundit. Situata nuk është tragjike, me dy fitore kapet vendi i gjashtë, por nga ana tjetër fitoret nuk po duken më dhe Kamza të jep ndjesinë se e ka shumë të vështirë të shënojë e të mbrojë avantazhin, edhe kur ia del të gjejë golin.

Kjo ka bërë që presidenti i Kamzës Naim Qarri ta humbasë durimin dhe tashmë trajneri Klodian Duro të jetë një hap larg shkarkimit. Duke folur për Panorama-Sport, presidenti kamzali ka vendosur një ultimatum të prerë, që duket më shumë një sinjal për shkarkim, sepse i kërkon Duros fitore këtë fundjavë në Tiranë kundër Partizanit.

“Kufiri është kaluar, dua patjetër fitore ndaj Partizanit, përndryshe do të ketë ndëshkime, duke nisur nga trajneri. Skuadra është drejt dështimit të plotë dhe për këtë nuk mund të sakrifikoj gjithë lojtarët. Nuk mund të dënojmë ekipin për një njeri, ndaj ky është ultimatum, nëse nuk fitojmë me Tiranën, Duro le të shkojë në shtëpi. Më kërkoi të falja lojtarët e pezulluar, ia plotësova dëshirën, skuadra është thuajse e plotë dhe nuk ka më justifikime. Ndërhyrje në formacion trajneri nuk ka pasur dhe nuk do ketë, loja e bukur nuk më duhet, kur mungojnë pikët”, ka deklaruar Qarri, që e thotë hapur, Duro nuk ka më asnjë hapësirë gabimi dhe në Kamzë tashmë edhe barazimin ndaj Partizanit e quajnë gabim.

Për ndeshjen e së shtunës Kamza do të jetë pa mesfushorin e pezulluar Arrabal, si dhe pa të dëmtuarin Malaj, por kthehet nga pezullimi mbrojtësi Teqja dhe është riaftësuar mbrojtësi Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat