Ronaldo: Askush s’mund ta bëjë atë që e kemi bërë unë dhe Messi

Futboll

Ronaldo: Askush s’mund ta bëjë atë që e kemi bërë unë dhe Messi

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 08:48
Cristiano Ronaldo, Lionel Messi

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ai dhe rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi, janë shumë më përpara se pjesa tjetër e futbollistëve dhe njëkohësisht të papërsëritshëm.

Në një intervistë për revistën franceze “France Football”, Ronaldo ka thënë se vazhdimësia që ai dhe Messi kanë pasur duke qenë në krye të futbollit botëror për më shumë se një dekadë, është një e arritur që nuk mund të realizohet nga askush tjetër përveç tyre.

“Sa lojtarë janë në gjendje të luajnë në nivelin më të lartë për më shumë se 10 vite? Mund t’i numërosh në një dorë. Janë dy, Messi dhe unë”, tha Ronaldo.

Portugezi dhe argjentinasi e kanë ndarë çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në botë në dekadën e fundit, duke e fituar secili nga pesë herë.

Ronaldo u pyet edhe rreth kalimit të tij në Juventus.

“Në moshën time, asnjë lojtar nuk do t’i bashkohej një klubi për 100 milionë euro. Në moshën time, me gjithë respektin për ata që e kanë bërë këtë, ata shkojnë në Kinë, në Emiratet Arabe, apo Indi, dhe u japin fund karrierave të tyre pa pasur nevojë ta ruajnë nivelin më të lartë”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat