Talenti shqiptar te Lyoni

Futboll

Talenti shqiptar te Lyoni

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 11:05
Artion Ramaj

Ekipet kombëtare po mbyllin një vit skandaloz! Nga kombëtarja U-17 e deri tek ekipi i parë rezultatet kanë qenë shumë zhgënjyese. Diku mungojnë elementet cilësorë, diku mungon dëshira për t’i zbuluar e në të gjitha ekipet, sidomos te moshat ka hije dyshime për emrat e grumbulluar nga trajnerët respektivë. Po flasim për përzgjedhje selektive dhe me miq, po. Jemi më dobët se Kosova në filozofi dhe shumë larg ekipeve të tjera të zhvilluara.

Problemi tjetër që ka Shqipëria lidhet dhe me skautët e zbulimit të talenteve në Europë. Kujtohemi kur kombëtaret e tjera i ftojnë, apo kur zbulohen nga të gjithë. Së fundmi, Telesport ka zbuluar një tjetër emër mjaft interesant që luan në Francë, në një moshë shumë të njomë dhe që FSHF-ja duhet ta “burgosë” shpejt, para se “gjelat” ta rrëmbejnë. Fjala është për Artion Ramajn e datëlindjes 2004.

Mesfushori luan si 10 dhe ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare me Lyonin. Ai ka lindur dhe jeton në Toulouse dhe verën tjetër do t’i bashkohet me kohë të plotë klubit francez. 15-vjeçari është mjaft virtuoz dhe ka shumë talent. Ai shihet si një nga futbollistët me të dhënat më të mira në Francë. Kombëtarja e Francës U-16 i ka bërë ftesë dhe e ka kontaktur, por ende nuk ka marrë përgjigje. Ramaj flet mjaft mirë gjuhën shqipe dhe është i lidhur me vendin e origjinës, kjo dhe nga familja e tij.

Lyoni ishte zgjedhja më e mirë për të, pasi i plotësoi të gjitha kushtet atij dhe familjes së tij, pavarësisht se ofertat nuk i munguan dhe nga klubet e tjera brenda dhe jashtë Francës. Po Federata Shqiptare e Futbollit çfarë bën? Apo ende skautët e saj nuk janë zgjuar nga gjumi letargjik!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat