Finalja më e çmendur në histori

Futboll

Finalja më e çmendur në histori

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 12:42
Finalja më e çmendur në histori

River Plate është kualifikuar për në finalen e Copa Libertadores, pas një triumfi jashtëzakonisht dramatik, 2:1, në Porto Alegre kundër Gremio-s.

Gremio kishte fituar 1:0 në Buenos Aires javën e shkuar dhe thjesht i duhej të mos mundej në fushën e vet, ndërsa kishte në favor gjithçka, sepse e fitoi Libertadores vjet dhe kundër River-it ka një bilanc të shkëlqyer.

Megjithatë, River Plate kishte premtuar betejë dhe fitore dhe ashtu ndodhi. Që në fillim argjentinasit e nisën me mjaft agresivitet, duke dominuar në fushë, me 20-vjeçarin Exequiel Palacios që konfirmoi se është një lojtar klasi, edhe pse nuk i eci para porte.

Kundër rrymës së lojës, Gremio gjeti golin e avantazhit në minutën e 35-të, kur Leo Gomes me një predhë nga jashtë zone mposhti portierin argjentinas Armani.

Mbaroi gjithçka? Nuk e mendonte kështu Riveri, që në pjesën e dytë u hodh në mënyrë të dëshpëruar në sulm, ndërsa Gremio bënte ç’të ishte e mundur për të mbrojtur avantazhin dhe për të vonuar lojën.

Në minutën e 67-të Armani evitoi kapitullimin, duke pritur gjuajtjen nga Éverton, i cili doli i vetëm me portierin, por humbi rastin që do i mbetet peng tërë jetën.

Në minutën e 82-të tifozeria e Gremio-s ndjeu mornicat e para, sepse Rafael Santos Borré barazoi, duke gjuajtur saktë me kokë pas një krosi nga Pity Martínez. Pak minuta në dispozicion për Riverin, një makth pa fund për Gremio-n, sepse në minutën e 87-të një gjuajtje në zonën e Gremio-s preku dorën e Bressan. VAR në lojë, minuta të tëra konfuzioni, penallti dhe karton i kuq për Bressan, i cili tentoi të sulmonte arbitrat dhe u deshën trajnerët, shokët e ekipit dhe policia për ta larguar nga fusha.

Pas një ndërprerjeje të gjatë, që çoi te akordimi i 14 minutave shtesë, Pity Martínez shënoi penalltinë që kualifikoi Riverin për në finalen e madhe, ndërsa arbitrat u larguan me ndihmën e policisë.

Në gjysmëfinalen tjetër Palmeiras do të presë Boca Juniors sot pas mesnate dhe Boca niset nga pozita perfekte, sepse fitoi 2:0 në Argjentinë.

Nëse nuk ka përmbysje, do shohim për herë të parë një SuperClásico në Copa Libertadores, një çmenduri e vërtetë, sepse River-Boca kalon në përmasa dhe rivalitet edhe sfida si Real-Barça apo Milan-Inter.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat