Luftë e ashpër për dy vendet e para

Futboll

Luftë e ashpër për dy vendet e para

Nga: Kemajl Goca Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 18:09
Granit Arifaj

Disa skuadra synojnë rikthimin në elitën e futbollit të Kosovës. Besa nga Peja, Vëllaznimi nga Gjakova, Vushtrria, Dukagjini i Klinës, pretendojnë dy vendet e para, që shpien direkt në IPKO Superligën e Kosovës.  Jo vetëm këto skuadra, por edhe disa prej tyre janë me gjasa reale, si Onix nga Banja, Arbëria nga Dobraja e Madhe, Trepça nga Mitrovica.

Dukagjini është në pozitën e katërt me 21 pikë, ka tri me pak se Besa. Sulmuesi i Dukagjinit, Granit Arifaj, shprehet se gjasat i kanë shumë të mira që të ngritën në elitë, sipas tij kanë edhe ekip cilësore. “Ta shohësh ekipin si individ, Dukagjini ka ekipin me cilësorë në Ligën e Parë dhe mund ta veçojë lojën shumë të mirë që e bën, me aksione shumë të mira dhe me shumë gola”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Arifaj. Pothuajse gjysma e ligës luftojnë për dy vendet e para, a do të jetë vështirë për Dukagjinin të paktën të arrijë në dy vendet e para?

“Do të jetë shumë vështirë, pasi ka ekipe shumë cilësore në Ligë të Parë dhe mendoj që pas tri javëve të fundit ku kemi marrë veç një pikë, ju kemi dhënë mundësi ekipeve tjera të na kalojnë me pikë. Megjithatë, tash do të jetë vështirë por ne kemi kualitet, të gjitha mundësitë i kemi dhe besoj që në fund të kampionatit do të jemi ndër dy ekipet e para në tabelë”, përgjigjet Arifaj. Humbja nga ish skuadra e juaj, Istogu me rezultat 3:1, a ka qenë një ditë e keqe për Dukagjinin apo fati nuk iu priu? “Në pjesë të parë luajtëm shumë mirë, dominuam kundërshtarin dhe kaluam në epërsi me rezultat 0:1, ku edhe përfundoj pjesa e parë.

Në pjesë të dytë ekipi ra disi me mendim se e fituam ndeshjen dhe do të jetë lehtë, por Istogu na dominoj në pjesë të dytë dhe arriti ta fitoi lojën”, theksoi ai.  Pa dyshim se do të jetë luftë e ashpër mes disa skuadrave për dy vendet e para, sidomos mes Besës, Vushtrrisë, Vëllaznimit dhe Dukagjinit. Arifaj ka nënvizuar se cilat nga skuadrat mund të jenë edhe për dy vendet e para: “Dukagjini, Besa, Vushtrria dhe Vëllaznimi, janë rivalët kryesorë.

Ndërkaq, për dy vendet e para të tjera ekipe e kanë shumë problem edhe pse në futboll gjithçka mund të ndodhë. Sipas të gjitha gjasave këta do të jenë kandidatë kryesorë për Superligë”. A e parashikoni një kampionat shumë të fortë për dy vendet e para? “Kampionati do të jetë shumë i fortë dhe kush do të jetë në dy pozitat e para nuk do të dihet deri në javët e fundit. Do të jetë një kampionat shumë interesant dhe me rivalitet të madh”, përfundoi Arifaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat