Naser Aliji prezantohet te Dinamo e Bukureshtit, ja numri që i jep klubi!

Futboll

Naser Aliji prezantohet te Dinamo e Bukureshtit, ja numri që i jep klubi!

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 17:47
Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Naser Aliji

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Naser Aliji, është prezantuar zyrtarisht te klubi i Dinamos së Bukureshtit. Prezantimi i futbollistit kuqezi është bërë nga klubi rumun, që ka publikuar në faqen zyrtare edhe një foto të Alijit me fanellën e re.

24-vjeçari, që luan në krahun e majtë të mbrojtjes, ka kryer ditën e sotme vizitat mjekësore, në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Sportive, në Bukuresht. Pasi ka kaluar me sukses vizitat mjekësore, Aliji do t`i bashkohet skuadrës së Dinamos për të vijuar stërvitjen.

Aliji është një nga futbollistët, që më herët është grumbulluar nga ekipi kombëtar i Shqipërisë, ndërsa në karrierën e tij ai ka luajtur edhe për ekipet zinxhir të përfaqësueses së Zvicrës.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Naser Aliji, ka luajtur për ekipe si Bazel, Vaduz, Kaiserslauten dhe Virtus Entella. Sezonin e shkuar Naser Aliji ishte pjesë e skuadrës së Virtus Entella në Serinë B, me të cilën pati dhe 17 përfaqësime.

Ai numëron 3 tituj Kampion të Zvicrës, me Bazelin në vitin 2014, 2015 dhe 2016. Në ekipin rumun, Naser Alijit, i kanë dhënë numrin 7, një vlerësim që i bëhet futbollistit shqiptar, pasi më herët këtë numër e kanë mbajtur shumë yje të Dinamos së Bukureshtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat