Gashi: Nuk do të ketë më rezultate negative

Futboll

Gashi: Nuk do të ketë më rezultate negative

Nga: Kemajl Goca Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 18:15
Durim Gashi

Ballkani kërkon tri pikë në duel me Feronikelin nga Drenasi dhe sado kudo të kenë një rehati në vazhdim të kampionatit në IPKO Superligën e Kosovës.  Në 13 ndeshjet e deritashme kanë bilanc të mirë, pesë fitore, tri barazime e pesë humbje, duke u renditur në pozitën e tetë me 18 pikë të mbledhura. Therandasit besojnë se kanë fuqi të jenë edhe më lartë në renditjen e elitës së futbollit të Kosovës.

Futbollisti Durim Gashi ka thënë se importimi i pikëve të plota nga Podujeva, ka qenë edhe një motiv shtesë për skuadrën, sidomos për ndeshjen e nësërme (13.30) kundër liderit Feronikeli. “Fitorja në Podujevë na shërben si një motiv shtesë për ndeshjen e nesërme në përballje me Feronikelin. Besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gashi. A shpresoni në fitore dhe ku janë përparësitë ndaj Feronikelit? “Ne në çdo ndeshje hyjmë për fitore edhe këtë ndeshje  e llogarisim si sfidat tjera”, përgjigjet ai.

Gashi është optimist se do të arrijnë në pjesën e lartë të klasifikimit:  “Ne prej fillimit kemi synuar që të luftojmë për top 4-sh dhe besoj se deri në fund do të ia arrijmë qëllimit”.  Ai tha se janë të dëmtuar në disa ndeshje, sepse kanë mundur të kanë edhe më shumë pikë: “Të dëmtuar ishim por kjo le t’i mbetet njerëzve të FFK-së, sepse këto ndodhin në futbollin e Kosovës, pra ndonjë gabim, por besoj se referimi po përmirësohet mirë”. Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe me atmosferën në klub? “Kushtet nuk besoj se dikush i ka më të mira se Ballkani. Jam shumë i kënaqur dhe atmosfera është shumë e mirë, por ndonjëherë mungojnë rezultatet. Tash jemi në tri ndeshje  me rezultat pozitiv dhe besoj se nuk do të ketë më rezultate negative”, tha Gashi. Ndërkaq, nga klubi i Ballkanit janë bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen me ‘Niklin’. “Atmosfera në skuadër është tejet pozitive, djelmoshat tanë janë përgatitur maksimalisht që edhe nga kjo ndeshje të dalin të buzëqeshur. Ndërsa ne, iu ftojmë të gjithë ju qytetar të Therandës, 'Xhebraila' dhe të gjithë ju dashamirë të skuadrës sonë, që të mbushni shkallët e stadiumit, pasi ju jeni lojtari i 12-të”, bëhet e ditur nga klubi.

IPKO Superliga e Kosovës, java 14-të

E shtunë

Drenica-Prishtina 13.30

KEK-u-Flamurtari 13.30

Ballkani-Feronikeli         13.30

E diel

Drita-Liria        13.30

Ferizaj-Llapi  13.30

Trepça ’89-Gjilani   13.30

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat