Fazliu: Konkurrent për titull i kemi Prishtinën dhe Dritën

Futboll

Fazliu: Konkurrent për titull i kemi Prishtinën dhe Dritën

Nga: Kemajl Goca Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 19:09
Astrit Fazliu në veprim

Disa skuadra janë në garë të fortë për titullin e kampionit në elitën e futbollit të Kosovës. Feronikeli nga Drenasi, Prishtina,  Llapi nga Podujeva dhe kampioni në fuqi Drita nga Gjilani, pretendojnë ta fitojnë kampionatin. Në 13 javët e para diferenca me pikë është e ngushtë mes Feronikelit si lider me 29 pikë dhe Prishtinës që e mban vendin e dytë me 27 sosh, por që të dyja kanë nga një ndeshje me pak, kurse Llapi renditet në vendin e tretë me 23 pikë dhe Drita është e katërta me 22. Luftë e fortë për kreun e tabelës dhe parashikohet të jetë edhe më e ashpër deri në fund. Feronikeli ka qetësinë, nuk e ndjen edhe fortë presionin nga përcjellësit e saj. 

‘Nikli’ përgatitet për sfidën e nesërme (13.30) në Therandë kundër Ballkanit, në kuadër të javës së 14-të dhe pas kësaj do të luajnë me 7 nëntor ndeshjen e mbetur me rivalin direkt për kreun e tabelës, Prishtinën. Me gjithë orarin e vështirë dhe të ngjeshur synojnë pikë maksimale dhe ta përforcojnë pozitën e parë.  Astrit Fazliu, mesfushor i Feronikelit,  shprehet se pikët e fituara deri me tash janë reale!

“Mendoj se pikët e fituara deri me tash janë reale, pasi që kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje deri në fund. Edhe Barcelona edhe Reali nuk mund të fitojnë gjithë, sepse ekipi mundet mos me qenë në  ditën e duhur, siç na ndodhi në Gjilan, patëm raste dhe posedimin e topit dhe një rast i tyre na kushtoi me humbje.  Me pikë jemi mirë dhe shihet se tri-katër skuadra luftojnë për titullin e kampionit. Sa i përket ekipit tonë, gjithçka po shkon perfekt”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Fazliu. Mesfushori shpreson se me kalimin e javëve do të distancohen me pikë nga kundërshtarët:

“Mendoj se konkurrent kryesor për titull i kemi Prishtinën dhe Dritën,  të cilat  janë skuadra më stabile, nuk duhet përjashtuar edhe Llapin që ka ekip cilësore, për shkak se nuk është larg me pikë. Nëse shkojmë duke i fituar ndeshjet, shpresoj se do të distancohem me pikë nga skuadrat tjera që luftojnë për titull. Në ndeshjet kur takohen mes vete rivalët për titull, shihet më së miri cilësia,  por edhe mundet ekipi mos ta ketë ditën e saj, dhe përballjet direkte nuk sjellin titullin. Ekipi duhet të mbledhë pikë në çdo ndeshje”.

A pritet të përcaktohet kampioni vjeshtor në ndeshjen e mbetur mes Feronikelit dhe Prishtinës? “Ndoshta, mundet edhe nga kjo xhiro, nëse këtë xhiro shkojmë mirë dhe mundet të ketë eventualisht ndonjë gabim te kundërshtarit. Megjithatë, nuk i dihet se si do të shkojë deri në fund kampionati”, përgjigjet Fazliu. Feronikeli ka të gjitha parakushtet qoftë për stërvitje qoftë për zhvillimin e ndeshjeve. “Feronikelit nuk i mungon asgjë, këtë sukses e ka falë asaj që i ka të gjitha.

Çdo gjë shkon mirë, atmosferë e mirë”, theksoi ai. Fazliun e ka befasuar për të mirë një skuadër dhe një tjetër për të keq: “Ky kampionat ndoshta i ngjan atij të kaluarit, kështu që sikurse tani kanë luftuar 4-5 skuadra për titull. Për të mirë me ka befasuar Flamurtari i Prishtinës, sepse askush se ka pritur që ka me arritur aq shumë pikë, kurse për të keq me befasuar Liria e Prizrenit e cila u mundua me bërë një organizim të mirë, por ka arritur shumë pak pikë”. Çfarë ju premton tifozëve? “Gjithmonë jam i rezervuar, nuk premtoj shumë, por imja është të bëj punë maksimale, me përkushtim për klubin dhe për tifozët”, thotë Fazliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat