Arsenal-Liverpool premton gola dhe spektakël

Futboll

Arsenal-Liverpool premton gola dhe spektakël

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 08:08
Arsenal-Liverpool

Pas 11 fitoreve të njëpasnjëshme, Arsenal është ndalur fundjavën e kaluar në fushën e Crystal Palace, ku ka barazuar 2-2. Këtë të shtunë, skuadra e Unai Emery do të presë në shtëpi Liverpool-in, në atë që do të jetë prova e së vërtetës për “Topçinjtë”.

Londinezët, në fakt, nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore kundër “Të Kuqve” në gjashtë përballjet e fundit (3 barazime, 3 humbje). Super ndeshja e javës së 11-të të Premier League, e cila do të luhet në “Emirates Stadium”, premton gola dhe spektakël, duke parë se Arsenal ka një mesatare 3.7 gola për ndeshje në takimet e këtij sezoni të luajtura në të gjitha kompeticionet.

Megjithatë, londinezët kanë një problem në pjesën e parë, me vetëm 6 nga 24 golat e realizuar në këtë kampionat që janë shënuar në 45 mi nutat e para. Për rrjedhojë, ata nuk kanë mbyllur në avantazh asnjë nga pjesët e para të ndeshjeve të luajtura në këtë sezon të Premier League.

Ndërkohë, me 26 pikë të grumbulluara në 10 ndeshjet e para të Premier League (8 fitore, 2 barazime), Liverpool ka barazuar nisjen më të mirë të kampionatit. Hera e fundit që “Të Kuqtë” kanë patur një start të tillë ka qenë në sezonin 2008/09, i përfunduar me një vend të dytë në renditje.

Pas katër golave të shënuar fundjavën e kaluar kundër Cardiff, Liverpool ka një mesatare prej dy golash për ndeshje në kampionat.

Protagonistët e mundshëm
Granit Xhaka ka realizuar një gol të jashtëzakonshëm kundër Liverpool në ndeshjen e sezonit të kaluar, të barazuar 3-3.

Gjithashtu, ai ka shënuar edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Crystal Palace, edhe këtë herë falë një goditjeje të mrekullueshme nga distanca.

Nga ana tjetër, Roberto Firmino ka shënuar pesë gola në pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Arsenal-it.

Statistika
– Tetë nga dhjetë përballjet direkte mes këtyre dy ekipeve kanë sjellë mbi 3.5 gola për ndeshje.

– Arsenal ka fituar 14 nga 16 ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi.

– Liverpool ka pësuar vetëm dy gola në pjesët e para të ndeshjeve zyrtare që ka luajtur në këtë sezon.

– Asnjë skuadër nuk ka arritur të shënojë më shumë se dy gola në 11 transfertat e fundit të Liverpool në Premier League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat