Rudi: Vëllaznimi nuk ka presion

Futboll

Rudi: Vëllaznimi nuk ka presion

Nga: Kemajl Goca Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 18:56
Lorik Rudi

Sa vijnë e kalojnë javët vetëm dihet se cilat nga skuadrat do të luftojnë për dy vendet e para dhe cilat për të mbetur në Ligën e Parë të Kosovës.  Në 12 javët e para pothuajse kanë filluar gjërat të qartësohen se cilat do të jenë në garë për dy vendet e para edhe pse ka shumë ndeshje deri në fund. Besa nga Peja është prej skuadrave që po administron me sukses në shumicën e ndeshjeve dhe prinë me 27 pikë në renditje, duke u përcjellë nga Vushtrria me 26 pikë, Dukagjini 24, Vëllaznimi 23 etj.

Këto katër skuadrat e para duket se do të jenë rivalët më të ashpër deri në fund të kampionatit secila prej tyre do të jetë në dy vendet e para, edhe pse mund të futet edhe ndonjë ekip nga plani i dytë. Vëllaznimi nga Gjakova zhgënjeu tifozët e vet me barazimin me rezultat 1:1 me Trepçën nga Mitrovica.  Gjakovarët paksa humbën terren me pozitën e parë, ngase ngecin për katër pikë nga lideri Besa. Futbollisti i Vëllaznimit, Lorik Rudi, është optimist i madh se me kalimin e kohës do të kompensojnë pikët e humbura. Mesfushori i krahut tha se pikët e deritashme nuk janë reale, sepse janë dëmtuar në disa takime.

“Bota sot”: Vëllaznimi barazoi me rivalin e vjetër Trepçën, çfarë nuk shkoi?

Lorik Rudi: Nuk i shfrytëzuam shumë raste që i patëm për të shënuar, pra si në shumë ndeshje të tjera.

“Bota sot”:  A do të ishit të kënaqur edhe me një barazim në sfidën e radhës në Pejë kundër Besës?

Lorik Rudi: Besa ka një ekip shumë të mirë, rastësisht nuk gjenden në vendin e parë.  Ne në asnjë ndeshje nuk luajmë për barazim, por gjithmonë  për të fituar. Të shohin te dielën.

“Bota sot”: A është Vëllaznimi në presion, sepse gjithnjë e më shumë po ashpërsohet lufta për katër vendet e para?

Lorik Rudi: Vëllaznimi nuk ka presion. Shpresoj dhe besoj që shumë shpejt do të kthehemi në dy vendet e para, aty ku edhe e kemi vendin dhe do të dalim nga kjo krizë e rezultateve.

“Bota sot”: Besa kryeson me 27 pikë, ka katër pikë më shumë se Vëllaznimi, a është një epërsi që ju shqetëson?

Lorik Rudi: Nuk është epërsi që nuk mund të rikuperohet dhe shumë shpejt do të kthehemi sërish në vendet e para.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në luftë direkte për dy vendet e para?

Lorik Rudi: Përveç Vëllaznimit janë edhe dy-tre skuadra pretendente për vendet e para. Mendoj se Besa, Dukagjini dhe Vushtrria që do të luftojnë për kreun e tabelës.

“Bota sot”: A është dëmtuar Vëllaznimi deri me tash apo janë pikë reale?

Lorik Rudi: Në disa raste besoj që edhe jemi dëmtuar, por edhe fati pak na ka munguar në disa ndeshje, sepse nuk kemi shfrytëzuar shumë raste.

“Bota sot”: A ka forcë Vëllaznimi për dy vendet e para apo çfarë i duhet më shumë?

Lorik Rudi: Vëllaznimi ka forcë për vendet e para,  për shkak se kemi skuadër shumë të mirë po ashtu edhe staf të trajnerëve të mrekullueshëm dhe një kryesi shumë serioze dhe të organizuar si kurrë me parë.

“Bota sot”: A janë krahu më i fortë i skuadrës tifozët ‘Kuqezinjtë e Jakovës’?

Lorik Rudi: Kuqezinjtë e Jakovës dhe ‘Grupi 1927‘ janë forcë shtesë e jona që na mbështesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat