Rikthehet Liga e Kampionëve me shumë super sfida

Futboll

Rikthehet Liga e Kampionëve me shumë super sfida

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 11:15
Foto

Sonte do të zhvillohen tetë ndeshje në katër grupe të Championsit.

Pas dy javësh pushim, sot dhe nesër Liga e Kampionëve kthehet me magjinë e saj.

Vëmendja do të përqendrohet në Itali, aty ku do të luhen ndeshjet mes Interit e Barcelonës si dhe Napoli e pret Paris Saint-Germain.

Interi do të kërkojë kthehet tek fitoret, pas humbjes së dy javëve më parë në Camp Nou ndërkohë që spanjollët do të tentojnë pikët e radhës për të mbyllur edhe matematikisht çështjen e kualifikimit në Grupin B.

Është grumbulluar për këtë duel edhe Lionel Messi por prania e tij në fushë do të vendoset vetëm në çastet e fundit, ndërsa gjasat më të mëdha janë që pesë-herë fituesi i Topit të Artë ta nisë ndeshjen nga stoli.

Spalletti në krahun tjetër ndryshe nga ndeshja e parë do të ketë në dispozicion, ushtarin e tij belgun Radja Nainggolan. Ndeshja tjetër e këtij grupi do të luhet në Wembley të Londrës mes Tottenham dhe PSV.

Interesante pritet të jetë sfida mes Napolit dhe PSG, që dy javë më parë u mbyll në barazim 2-2.Në Napoli kthehet sulmuesi Edinson Cavani, i cili tani është pjesë e skuadrës parisiene.

Liverpooli ka udhëtuar drejt Beogradit, për t’u ndeshur me Crvena Zvezdën. Kujtojmë që për shkak të problemeve politike, Jurgen Klopp nuk e ka ftuar Xherdan Shaqirin për këtë takim.

Në grupin A, Atletico Madridi do të kërkojë revanshin ndaj Dortmundit për humbjen 4-0 të dy javëve më parë edhe pse misioni do të jetë shumë i vështirë për Los Colchoneros pasi verdhezinjtë nuk kanë pësuar asnjë humbje në 15 ndeshje që kanë zhvilluar në të gjitha kompeticionet në këtë sezon. Monaco e pret skuadrën e Club Brugge në takimin tjetër të këtij grupi.

Porto-Lokomotiva e Moskës dhe Schalke-Galatasaray janë dy sfidat e Grupit D. /KosovaPress/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat