Hysaj mes më të mirëve në botë

Futboll

Hysaj mes më të mirëve në botë

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 13:58
Hysaj mes më të mirëve në botë

Është Kilië Mbape futbollisti më i kushtueshëm në qarkullim. E thotë studimi i Observatorit Ndërkombëtar të Futbollit, CIES, që ka publikuar listën e lojtarëve më të shtrenjtë, duke përdorur algoritmin e saj të veçantë. Sipas projeksionit të fundit, sulmuesi francez dominon klasifikimin, përpara Herri Kejnit dhe shokut të skuadrës Nejmar.

Kampioni i botës nuk është ende 20 vjeç, por kartoni i tij i kalon 200 milionë eurot. Bie në sy mungesa e Kristiano Ronaldos në “top 10”. Mes portierëve, më i çmuari është titullari i Sitit, Ederson. Nuk mungon as Elseid Hysaj, në kategorinë e mbrojtësve të krahut më të shtrenjtë, i cili lë pas Bejerinin e Arsenalit, Odriozolën e Realit, madje edhe një kampion bote si Lukas Hernandez. Por, mbrojtësi kuqezi nuk pritet të ketë një duel me Mbapenë apo Nejmarin sonte në përballjen kundër PSG-së në “San Paolo”, sepse Ançeloti vazhdon ta lërë jashtë skemës së tij në Champions.

Ançeloti – Ndryshe nga dy javë më parë në Paris, italianët do të kenë ndihmën e 55 mijë tifozëve për të mundur Nejmarin dhe Mbapenë me shokë. “Grupi është mirë. E dimë vështirësinë dhe rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ambienti është i karikuar për të bërë më të mirën”, tha tekniku i Napolit në vigjilje. Përballë ishskuadrës së tij do të rigjejë Bufonin, një mik të vjetër të tij: “Është gjithnjë kënaqësi ta takoj. Ka shumë ndryshime ekipi aktual i Parisit me atë timin.

Atëherë, skuadra ishte në ndërtim, ndërsa tani projekti ka mbërritur në fazën përfundimtare, atë për të fituar Champions-in. Tani PSG është një prej ekipeve më të forta të Europës”.

Ndeshja ndaj francezëve është një duel direkt që do vendosë edhe për klasifikimin. PSG-së i duhet fitorja, ndërsa Napolit i shkon për shtat edhe një barazim. Por, në të dyja rastet, asnjëra nuk kualifikohet matematikisht: “Grupi është shumë i ekuilibruar dhe i pasigurt. PSG nuk do të bëjë llogari për klasifikimin.

Sigurisht që do kërkojnë të fitojnë, sepse është në mentalitetin e skuadrave të mëdha dhe nuk do mendojnë për klasifikimin. Në short ishim forcë e tretë, tani jemi në valle për kualifikimin. Skuadra më transmeton ndjesi pozitive, do të bëjmë një ndeshje të madhe”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat