Vëllezërit Hazard zbulojnë bastin mes tyre

Futboll

Vëllezërit Hazard zbulojnë bastin mes tyre

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 22:11
Eden dhe Thorgan Hazard

Nëse shikohet klasifikimi i golashënuesve në Premier League dhe Bundesliga, do të vihet re diçka e ngjashme. Në krye është Hazard me 7 gola, si në Angli, po ashtu dhe në Gjermani, por ndryshimi është se ndryshojnë emrat, Eden dhe Thorgan.

Dy vëllezërit aktualisht po zhvillojnë paraqitje fantastike me fanellat e Chelsea dhe Borussia Mönchengladbach, ndërsa në një intervistë për mediat belge, Thorgan gjithashtu deklaroi se kush shënon më pak nga të dy, duhet t’i japë një darkë tjetrit.

Të dielën, vëllai i vogël i Hazard ndihmoi Gladbach me një dygolësh në fitoren kundër Dusseldorf, me skuadrën e tij që u ngjit në vendin e dytë të klasifikimit, 4 pikë larg nga Borussia Dortmund kryesuese. Një tjetër kuriozitet interesant, është se të dy lojtarët gjenden në vendin e dytë me ekipet respektive në renditje.

Duhet thënë se kohët e fundit janë shtuar shumë zërat se Eden Hazard do të kalojë tek Reali i Madridit, me këtë të fundit që kurrë nuk e ka fshehur dëshirën për të veshur fanellën “mbretërore”. Por, në Belgjikë, janë të bindur se edhe Thorgan është gati për hapin e madh, duke folur për një interesim nga kampionët e Evropës.

Megjithatë, 25-vjeçari është përgjigjur me shaka, se ai mund të luajë vetëm tek ekipi B. Me kontratën që i skadon në vitin 2020, klubi i Gladbach dëshiron t’i rinovojë kontratën yllit të saj, me shpresën se ai mund të qëndrojë akoma më shumë në Gjermani.

Për momentin Thorgan nuk mendon për merkaton, dëshiron vetëm të japë më të mirën për skuadrën, dhe pse jo, të marrë një darkë nga i vëllai Eden në fund të sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat