Andre Silva: Largimi nga Milani, ishte zgjedhja më e mirë

Futboll

Andre Silva: Largimi nga Milani, ishte zgjedhja më e mirë

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 23:30
Andre Silva

Verën e 2017-ës, Andre Silva ishte një nga blerjet më të bujshme të Milanit, pasi kuqezinjtë paguan plot 40 milionë euro në arkat e Portos, për të sjellë në Milano sulmuesit, që pritej të shndërrohej në lider të skuadrës.

Megjithatë portugezi nuk arriti të përshtatet dot në kampionatin italian dhe vuajti shumë gjatë aventurës së tij me Milanin, duke shënuar vetëm 2 gola në Serinë A, gjatë gjithë sezonit, shifra vërtetë zhgënjyese, kur shikon shpenzimin e bërë për të.

Këtë verë klubi nga Milano vendosi ta huazojë te Sevilla, me të drejtë blerjeje për 35 milionë euro dhe pikërisht në Andaluzi, Andre Silva duket se rigjeti edhe njëherë “parajsën”, pasi ka filluar të shënojë rregullisht.

Në 9 ndeshje të luajtura për Sevillan në kampionatin spanjoll, sulmuesi portugez ka gjetur plot 7 herë rrugën e rrjetës, ndërsa ka shënuar edhe dy gola me kombëtaren portugeze, në vetëm 3 ndeshje të luajtura me të.

Vetë Andre Silva pranon vështirësitë që hasi në Milano dhe shton se tashmë që po luan te Sevilla, po kupton se ka bërë zgjedhjen ideale për karrierën e tij, duke lënë kampionatin italian, për t’iu bashkuar andaluzianëve.

“Nuk doja të largohesha nga Milani, por vetëm të luaja më shumë. Ndërkohë që po kërkoja një skuadër që të më garantonte më shumë minuta, doli në skenë Sevilla dhe nuk u mendova dy herë. Pas muajve të parë, mund të them me bindje se kam bërë zgjedhjen më të mirë për karrierën time”, deklaroi sulmuesi portugez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat