Laçi trondit kampionin

Futboll

Laçi trondit kampionin

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 16:03
Pamje nga ndeshja

Laçi shënon fitore me rezultat 2:0 ndaj Skënderbeut. Ndeshja nis e hapur, me kurbinasit më kërkues. Janë pritës, në fakt, por luhet në fushën asnjanëse të “Selman Stermasit”. Kjo për shkak se kurbinasit e kanë fushën e stadiumit të tyre në rikonstruktim të plotë. Nuk vonon shumë dhe një sulm koral e i rrjedhshëm i bardhezinjuve finalizohet me gol nga Shtubina.

Prapavija korçare zihet disi në gjumë, e pavendosur mirë dhe ndëshkohet shpejt. Eshtë vetëm minuta e 7-të. Kundërpërgjigjia e kampionëve vjen në minutën e 11-të, teksa Gripshi godet prirtazi me portën e Laçit, topi shkon me hark të lartë dhe për pak përfundon në këndin e “kuadratit” të Selmanit.

Në minutën e 17-të, Bregu, pasi fiton dyluftimin në mesfushë, godet fort nga distanca. Portieri Selmani zgjatet sa për ta devijuar me vështirësi topin në këndore. Presioni i Skënderbeut vjen në rritje, ndërsa kurbinasit presin në gjysmëfushën e tyre, duke tentuar kundërsulmin. Duket qartë se tashmë, në plan të parë për ta ka dalë mbrojtja e avantazhit të hershëm.

Në minutën e 27-të, mbrojtja kurbinase bën një gafë, e humb topin afër zonës së saj, ku përfiton Otto John, i cili godet fluturimthi. Fatmirësisht për skuadrën e Memellit, topi devijohet nga trupi i njërit prej qendërmbrojtësve kurbinas në këndore.

Moment i diskutueshëm në minutën e 29-të. Altiparmanovski merr një pasim të gjatë dhe starton fuqishëm, por portieri korçar del jashtë zonës së 16-metrave, duke i ndërhyrë e larguar topin. Laçi reklamon për karton të kuq të “gardianit” kundërshtar dhe faull, por kryesori ndëshkon me të verdhë për simulim lojtarin bardhezi. Në fakt, lojtari në fjalë është dëmtuar dhe zëvendësohet në minutën e 35-të, i pamundur për të vazhduar lojën.

Pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të kurbinasve, ndërsa e dyta nis furishëm për juglindorët. Trajneri Shehi hedh në fushë edhe sulmuesin Krasniqi në vend të Gripshit, teksa synimi është i qartë, spostimin përpara të skuadrës, që të barazojë. Laçi lufton fort, për çdo top dhe në çdo hapësirë të fushës, duke dashur të mos e lejojë të organizohet kundërshtari.

Kundërsulm i shpejtë i bardhezinjve në minutën e 66-të, teksa Sefgjini përparon me topin dhe godet në pozicion ballor me portierin mik. Topi shkon tokazi, pa forcë, në duart e Teqjes. Gudj hidhet në fushë në vend të Demte, trajneri Shehi ijon të freskojë skuadrën, por porta e Selmanit mbetet e paarritshme. Mungon pasimi i duhur final dhe goditja në kuadrat.

Të besuarit e Memellit dalin frikshëm në sulm, si në minutën e 75-të, kur mund t’i kishin dyfishuar shifrat. Nuk vonon zëvendësimi i tretë dhe i fundit për Skënderbeun. Ardit Hoxhaj zë vendin e Otto John, në minutën e 78-të, ndaj minutat e mbetura janë një ofensivë totale e kuqebardhëve për të barazuar. Ata i afrohen shumë ekuilibrit rezultativ në minutën e 81-të, kur Radas lëshon një predhë nga goditja e dënimit, në një largësi prej rreth 20 metrash, por topi ndalet në traun e portës kundërshtare.

Me fat Laçi në këtë rast. Dhe hyn në lojë ligji i pashkruar në futboll: po nuk shënove, do ta pësosh. Goditje dënimi në minutën e 85-të për kurbinasit. Topi krosohet në zonë, ku krijohet një lëmsh, derisa përfiton Gjonaj, që dysfishon rezultatin. Tashmë nuk ka më histori kjo ndeshje, e fituar me meritë dhe zgjuarsi nga bardhezinjtë e Memellit, që tashmë grumbullon dy fitore radhazi si trajner i parë. Laçi ngjitet në vendin e tretë, në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Skënderbeu spostohet i dyti nga Partizani, me 26 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat