Conte nuk e pranon ofertën e Chelseat, kërkon 23 milionë euro dëmshpërblim

Futboll

Conte nuk e pranon ofertën e Chelseat, kërkon 23 milionë euro dëmshpërblim

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 17:22
Antonio Conte

Ish-trajneri i Chelseat, Antonio Conte, e ka refuzuar ofertën e Chelseat për t’u takuar për ta arritur një marrëveshje pasi që dëshiron të vazhdojë me padinë në gjykatë për ta marrë pjesën tjetër të pagës së tij.

Italiani, i cili gjatë kohës së fundit e ka refuzuar ofertën për t’u bërë trajner i Real Madridit, beson se atij duhet t’i paguhet edhe pjesa tjetër e pagës sipas kontratës, pas shkarkimit të tij gjatë kësaj vere.

Avokatët e Contes kanë qenë duke punuar për dy lëndë të ndryshme gjatë javëve për të arritur sukses në këtë padi. Ata e kanë përgatitur një për Tribunalin e Punësimit dhe një tjetër për Gjykatën e Arbitrimit për Sport (CAS).

Chelsea ka tentuar vazhdimisht të organizojë një takim ballë përballë me Conten për ta arritur një marrëveshje jashtë gjykatave, por ai ka refuzuar të marrë pjesë nëpër këto takime, pasi që ishte ndierë i tradhtuar nga klubi këtë verë.

Mediat e ndryshme botërore raportojnë se Conte kërkon rreth 10 milionë euro dëmshpërblim si shtesë ndaj pagës së tij vjetore prej 13 milionë euro, kështu që Chelsea do të mund të detyrohet t’ia paguajë ish-trajnerit gjithsej 23 milionë euro për shkarkimin e tij.

Megjithatë, raportohet se Chelsea është duke refuzuar ta paguajë këtë shumë për shkak të sjelljes së tij gjatë kohës kur ishte në klub. Përveç trajtimit të Diego Costas, ata e përmendin se Conte nuk kishte marrë pjesë në eventet e sponsorëve, ishte vonuar për konferencat për shtyp dhe kishte parkuar në vendin e gabuar më kampin stërvitor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat