“Kapiteni plangprishës”, Leonardo Bonuccin e pret një “San Siro” i zjarrtë

Futboll

“Kapiteni plangprishës”, Leonardo Bonuccin e pret një “San Siro” i zjarrtë

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 11:12
Leonardo Bonucci

Nuk do të jetë një ndeshje si çdo tjetër. Nuk do të jetë një garë e thjeshtë. Leonardo Bonucci do të përjetojë një mbrëmje të veçantë, të dielën. “San Siro”, në fakt, është i gatshëm të nxjerrë në pah të gjitha pakënaqësitë ndaj tij, përsa i përket një lojtari, i cili, pas një viti me kuqezinjtë, vendosi ta kthejë shiritin e kapitenit për të përqafuar dashurinë e vjetër, të quajtur Juventus.

Një vendim i bujshëm, që ende përbën lajm. “Shkuarja te Milani ishte një zgjedhje e gabuar, kuptova se instinkti mund të na dërgojë edhe në zgjedhje të gabuara”, – shpjegoi qendërmbrojtësi italian në momentin kur vendosi ta linte Milanin, kësaj vere.

Në vitin e “reflektimit”, Bonucci në “Duomo” ka grumbulluar 51 ndeshje dhe 2 gola. Njërin nga këto gola, si shaka e fatit, e realizoi kundër bardhezinjve, madje festoi plot ngazëllim para “Curva Nord”. Një skenë, që mendohej se e “preu kordonin e kërthizës” përfundimisht me “Zonjën e Vjetër”, por në fund Bonucci përfundoi duke ripërsëritur shëmbëlltyrën e djalit plangprishës…

Qendërmbrojtësi 31-vjeçar nga Viterbo nuk dëshironte ta vazhdonte aventurën në Lombardi, duke kërkuar në mënyrë eksplicite shitjen. Nga këtu, në fakt, nuk munguan ofertat nga jashtë; me PSG dhe Manchester United në rreshtin e parë.

Por, prioriteti i vetë futbollistit duket se ka qenë gjithmonë dhe një i vetëm, skuadra bardhezi. Në funksion të kësaj ka punuar në heshtje dhe në mënyrë diplomatike. Njerëzit përreth mbrojtësit arritën ta bindin Juventusin, duke mundësuar  rikkthimin e pamendueshëm.

Thuhet se në këtë rikthim kanë ndikuar në masë të konsiderueshme senatorët e bardhezinjve. Kështu, Juventusi studioi dhe materializoi një operacion të mundimshëm, që pa bashkë (në dalje) dy yjet, Matia Caldara dhe Gonzalo Higuain, të cilët përfunduan në oborrin e Rino Gattuso.

Nga ana e tij, “Ringhio” pranoi me qetësi vendimin e ish-kapitenit të vet për t’u kthyer në Torino. Ishte respekt i ndërsjellë, një marrëdhënie e sinqertë. Leo, pas lamtumirës së papritur, la një kujtim të madh në “Milanello”. Ashtu siç u konfirmua në muajt më pas nga fjalët e shokëve të tij të vjetër. Dashuria thjesht nuk ka lulëzuar. Kjo ndodh jo rrallë.

Ndërsa mes Bonuccit dhe Juventusit ka ndjenja të vërteta, e njëjta gjë që e ka bërë Max Allegrin të pranojë njeriun që e uli në stol kundër Portos, më herët. Megjithatë, episodi u sqarua. Bonucci, në versionin e kthimit, ka deri tani “rekordin” e 14 paraqitjeve dhe 1 goli. Megjithatë, “ndërhyrjet boshe” nuk kanë munguar.

Nga dyluftimet e humbura me Stepinski dhe Babacar, te “blici” i Mertens ndaj Napolit, me disa ulje-ngritje të tjera këtu dhe atje. Natyrisht, ai ka më së shumti kontribute pozitive. Shihni shfaqjet e tij në Valencia, Manchester dhe Empoli. Ndjenja është se, për shkak të kohës së shpenzuar në një klub tjetër, Leo duhej t’i rregullonte automatizmat. Por, shkurtimisht, nuk është si të mësosh të ngasësh një biçikletë… Dhe në gjithë këtë, “San Siro” nuk do ta falë. Të paktën jo në të gjitha…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat