Panucci: Fitorja, detyrim ndaj Skocisë

Futboll

Panucci: Fitorja, detyrim ndaj Skocisë

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 14:16
Panucci: Fitorja, detyrim ndaj Skocisë

Trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka dalë sot para mediave, për të folur në prag të sfidës së Nations League kundër Skocisë, por edhe për miqësoren kundër Uellsit, dy sfida që do luhen në Shqipëri në harkun e pak ditëve, 17 nëntor Skocia në Shkodër dhe 20 nëntor Uellsi në Elbasan.

Forma e mirë e legjionarëve nëpër Europë: “Po, jam i kënaqur, Grezda ka shënuar 2 gola, Kaçe shënoi dhe të shpresojmë që të vijnë më entuziazmin e duhur për të ndihmuar skuadrën. Grezda është shumë më mirë se një muaj më parë, Kaçe është lojtar me eksperiencë dhe është në formë”.

Çështja Loret Sadiku, a është penduar Panucci që e grumbulloi? “E grumbullova, pastaj ai më shkroi një mesazh dhe folëm. Ishte i lumtur për grumbullimin, por më tha që ka pasur disa probleme në të shkuarën dhe më kërkoi kohë, edhe për faktin se nuk ndihet në formë të plotë fizike. Nuk më refuzoi, përkundrazi, ishte shumë i lumtur,por nuk ishte në formë të plotë fizike dhe vendosëm të mos vijë për momentin. Edhe Ramadani kishte probleme fizike, ndaj grumbullova Kaçen”.

Çfarë duhet ndryshuar para Skocisë? “Në Skoci e merituam humbjen, sepse kur dhuron gola të tillë nuk mund të marrësh pikë. Nuk luajtëm mirë, luajtëm pak futboll, vuajtëm agresivitetin e tyre, edhe pse patëm raste me Balajn pas 1-0. Këtu do jetë një ndeshje ndryshe, jam i bindur, sepse në shtëpi luajmë më mirë se jashtë. Duhet të rinisemi nga ndeshja me Izraelin, ku luajtëm shumë mirë. Nëse jemi në këtë situatë, është faji ynë, nuk duhet të gjejmë justifikime. Pësuam gola amatorë, njëri gol në Skoci as te fëmijët nuk pësohet, po ashtu në Izrael pësuam një gol të pafalshëm, lojtarët ishin memecë në fushë, ndërsa u them gjithë kohën që të flasin, të flasin, të flasin. Ndoshta nuk po bëj sa duhet në këtë drejtim, ndaj këtë javë do qeshim më pak dhe do flasim më shumë”.

Rëndësia e ndeshjes ndaj Skocisë, për renditjen apo për të ardhmen? “Duhet të fitojmë patjetër, sepse siç dihet vendet e para ngjiten më lart. Na duhet fitorja dhe na duhen disa gola, që nuk po i shënojmë. Duam të shkojmë në kuotën e 6 pikëve, pastaj të shohim shortin e kualifikueseve të Europianit, sepse vendi i dytë në grup mund të vlejë shumë, nëse ekipet mbi ne fitojnë grupet eliminatore. Në Izrael luajtëm shumë mirë, as në Turqi nuk kemi luajtur aq mirë, ndaj më vjen keq, sepse kur krijon atë lojë të mirë duhet të marrë rezultat. Nuk po kërkoj justifikim, me sa duket nuk po mjafton puna që po bëjmë së bashku. Duhet të punojmë më shumë, duhet të gjejmë zgjidhje, sepse vuajmë shumë për të shënuar, ndërsa pësojmë gola idiotë”.

Situata para Skocisë: “Ka një vit që e kemi këtë skuadër, por tashmë janë kthyer lojtarë të rëndësishëm, si Grezda. Shpresojmë që Skocia të mos jetë ajo e ndeshjes së parë, ndërsa ne do të luajmë lojën tonë, duke i vendosur nën presion, edhe për faktin se kanë ndonjë mungesë, si kapiteni Mulgrew, dhe mund të përdorin variante të ndryshme taktike. Edhe ne jemi pas Hysaj e Basha të pezulluar, ndërsa Veseli nuk luan prej një muaji, por mendoj se e kemi potencialin për të fituar. Izraeli e masakroi Skocinë në shtëpi, ndërsa ne ishim më mirë në Izrael, ndaj mendoj se kemi shanse për të fituar, edhe pse çdo ndeshje ndryshon nga tjetra”.

Kaçe, pse vjen vetëm për shkak të mungesave? “E kam nisur javën e shkuar duke menduar për formacionin, ndërsa më pas u detyrova të ndryshoj 3-4. Është një ndeshje që duhet ta fitojmë, sepse nëse ia dalim, vendos diferenca e golave dhe gjithçka mund të ndodhë. Kaçe luajti në ndeshjen e fundit, por nuk ka luajtur shumë ndeshje këtë sezon, shpesh ka qenë në stol. Këtë radhë është grumbulluar për shkak të disa mungesave, por ka qenë edhe më parë pjesë e jona dhe do të jetë. Lojtarët vijnë kur janë mirë, mungojnë nëse nuk luajnë, ashtu si për Kajën, i cili nuk po luan më në Skoci. Nëse Kaçe luan me vazhdimësi, natyrisht do të jetë pjesëtar i rregullt i yni, përndryshe është e vështirë, sepse kemi lojtarë të tjerë që po luajnë më shumë”.

Sa e rëndësishme është ndeshja ndaj Skocisë për të ardhmen e Panuçit? “Synimi ndaj Skocisë është vetëm fitorja, do të japim gjithçka. Më pas, kur përballem me presidentin flasim qetësisht dhe shkëmbejmë idetë tona. Ai ishte i kënaqur për lojën në Izrael, por natyrisht kur nuk shënojmë gjithçka ndërlikohet, për mua, federatën, tifozët. Unë jam i lidhur me rezultatet, është normale, por kemi detyrën që të fitojmë me Skocinë dhe të shkojmë në kuotën e 6 pikëve.

Miqësorja kundër Uellsit, thjesht miqësore për prova, apo do të nisë puna për Euro 2020? “Për një gjë jam i bindur: pas ndeshjeve kundër Kosovës e Ukrainës, ku kishim mungesa pa fund, pak nga pak i rikuperuam lojtarët dhe në mars do i kemi të gjithë në dispozicion, nga Roshi deri te Sadiku e Abrashi. Nëse do të jemi të plotë, cilësia e lojës do të rritet dhe do të jemi pretendentë për kualifikim. Siç u pa edhe në Izrael, sa më të plotë jemi, aq më mirë luajmë. Miqësorja ndaj Uellsit ka rëndësinë e vet, ka seriozitetin e vet. Së pari mendjen te Skocia, më pas do të mendojmë për Uellsin, është edhe ajo pjesë e përgatitjeve, nuk ka miqësore pa vlerë. Në dhjetor është shorti, duhet vazhdimësi, por miqësoret bëhen për shumë arsye, nuk mund të thuhet që Panuçi duhet të largohet se u mund nga Kosova, edhe pse luanim me gjysmë ekipi”.

Rëndësia e fitores për lojtarët: “Duhet të flas me lojtarët dhe duhet t’ua bëj të qartë që ndeshja ndaj Skocisë duhet fituar me çdo kusht, sa për krenari, ashtu edhe për ndonjë surprizë në kualifikuese, sepse skema e Nations League është e veçantë, mund të lirohen vende nëse ekipet kualifikohen nga kualifikueset e Europës. Dua që lojtarët të flasin, të komunikojnë me njëri-tjetrin, gjithë kohën, do ta kërkoj me ngulm”.

Shqetësimi më i madh dhe gjëja më pozitive pas Izraelit: “Më pozitivja ishte se atë që e provuam gjatë javës e bëmë edhe në ndeshje. Negative, që më shqetësoi dhe duhet rregulluar, është komunikimi në fushë, lojtarët duhet të flasin. Duhet të jemi liderë, nuk ka rëndësi kush e mban shiritin e kapitenit. Mavraj, Xhaka e të tjerë janë liderë, por nuk ka vlerë nëse nuk flasin në fushë. Nëse nuk kuptohemi, pësojmë gol, Izraeli ka shënoi gol me 5 gjuajtje në total, njëri gol ishte i pafalshëm, rivënie fundore dhe gol. Për këtë arsye, gjithë javën do të punojmë fort, ndërsa ju do shkruani që Panuçi është diktator. Jo, nuk jam diktator, thjesht duhet punuar me disiplinë, që të mos shkojmë në Izrael dhe të festojnë të tjerët.

Lojtarët pas ndeshjes kthehen qetësisht në klubet përkatëse, ndërsa unë nuk fle as 5 orë çdo natë, ndaj nuk ka arsye për të qeshur. Ky problem ka nisur që me Norvegjinë, pësuam gol nga një goditje këndi dhe lojtarët nuk flisnin në fushë me njëri-tjetrin. Edhe me Italinë bëmë një dhuratë te goli pësuar. Këtë javë do punojmë një orë për goditjet standarde, jo gjysmë ore, le të ankohen lojtarët që po i lodh shumë. Kemi pësuar 4 gola, 3 prej tyre nga goditjet e dënimit. Po më lënë nervat, mos kujtoni se kur jam në Itali jam me pushime dhe shoh Koloseun, po thinjem për këto probleme dhe gabime”.

Çështja Mavraj dhe konflikti me Arisin: “Nuk është problemi im, është problemi i federatës greke. Nuk ka pse luan ndeshje të hënën, kur dihet që të hënën në mesditë lojtarët duhen në kombëtare. Basha është i pezulluar, ndaj do të luajë, por Mavraj nuk ka arsye pse të qëndrojë në Greqi, rregulluat e FIFA-s janë të qarta”.

E ardhmja: S”Duhet të rikuperojmë lojtarët, nëse jemi të plotë ecim mirë. Ne nuk jemi Brazili, varemi nga 25-30 lojtarë në total dhe kur mungojnë disa, vuajmë. Shumë prej lojtarëve që grumbulloj nuk luajnë ose luajnë pak në ekipet përkatëse. Duhet të them që lojtarët me mua po punojnë mirë, por ndoshta nuk mjafton. E ardhmja ime? Mundohem të bëj maksimumin me aq sa kam. Mund të gaboj, por dua më të mirën për Shqipërinë dhe e bëj punën time me ndershmëri dhe pasion. Që kur kam ardhur në Shqipëri, mendoj se jam përmirësuar. Më kanë thënë që jam pak i egër, i ashpër, në këtë drejtim kam bërë ndonjë hap pas, por e përsërit që më duhen lojtarët që janë të dëmtuar tani, si dhe do të shohim ndonjë lojtar të ri për të ardhmen”.

Mungesa e Hysajt: “Me tre mbrojtës nuk luajmë. Kemi Veselin, është Balliu, edhe pse edhe ai po luan pak dhe kemi edhe një problem me Metzin, që nuk na është përgjigjur dhe nuk e dimë a është nisur Balliu. Shpresoj që Metz të tregohet serioz, sepse e njoftuam para 13 ditësh, por na thanë që duhej t’i njoftonim para 14 ditësh. Më vjen keq, sepse për Kaçen dhamë njoftim tre ditë përpara dhe nuk na krijuan asnjë problem nga Panathinaikosi. Nëse Balliu nuk vjen, do shohim për ndonjë alternativë, kemi disa të tilla. Ne duhet të fitojmë, ndoshta me 3 mbrojtës do ishte zgjedhja më e mirë, por duhet parë, të shpikim diçka, për të rrezikuar pa humbur ekuilibrat. Dua të rrezikoj për të fituar, do shkojmë all-in, të shohim”.

Cikalleshi: “Edhe ai ka luajtur pak, kohët e fundit ka nisur të luajë pas një dëmtimi. Është pjesë e grupit tonë, e di që kemi probleme në sulm, por unë e grumbulloj gjithmonë kur është mirë fizikisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat