Low: Bëmë gjëra të bukura

Futboll

Low: Bëmë gjëra të bukura

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 11:03
Low: Bëmë gjëra të bukura

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, përshëndeti paraqitjen e Leroy Sane në fitoren 3:0 të miqësores ndaj Rusisë, pasi sulmuesi i Manchester City shënoi golin e tij të parë ndërkombëtar. Ishte po Low, ai që mori kritika të shumta në verë, sepse e la këtë futbollist jashtë skuadrës së Gjermanisë për Kupën e Botës në Rusi. Niklas Sule dhe Serge Gnabry, gjithashtu, shënuan nga një gol secili në një mbrëmje shumë të nevojshme pozitiviteti për “Die Mannschaft”.

Low tha se ishte i lumtur të shihte lojtarët e tij të krijojnë gola nga pozita të thella, pasi Sane dhe Gnabry përfituan nga disa pasime mbresëlënëse nga mesfusha, përpara se të shënonin. “Ne patëm një pjesë të parë të mirë, e kontrolluam lojën, – tha Low për gazetarët, pas ndeshjes në Leipzig.

– Në ndeshjet e mëparshme jemi kritikuar se nuk kemi luajtur nga thellësia. Kësaj here kemi qenë në gjendje ta bëjmë diçka të tillë, në disa situata. Kemi krijuar një dinamikë loje dhe kemi ndërtuar dy gola të bukur në këtë mënyrë. Në pjesën e dytë, kur bëmë shumë ndryshime, e kemi humbur disi ritmin, por kjo është normale”.

Mesfushori i Bayer Leverkusen, Kai Havertz, ka kontribuar dukshëm në debutimin e tij të plotë me Gjermaninë. Ai ka asistuar Gnabry për të shënuar golin e tretë. 19-vjeçari ka shënuar tri herë në 11 paraqitjet e tij në Bundesliga, këtë sezon. Më parë u aktivizua si zëvendësues i vonë, në fitoren 2-1 të Gjermanisë, në miqësoren ndaj Perusë, në shtator.“Më ka impresionuar sonte, – tha Low. – Ai është shumë i sigurtë në lojën me top dhe ka pozicionim të mirë përpara”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat