Argjentina “tregon dhëmbët”, dominon Meksikën në miqësore

Futboll

Argjentina “tregon dhëmbët”, dominon Meksikën në miqësore

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 09:56
Argjentina

Ishte ndeshje miqësore. Argjentina mposhti 2-0 Meksikën në Cordoba, të premten, falë golit të Ramiro Funes Mori dhe autogolit të Isaac Brizuela. Meksika mund të kalonte në epërsi që në minutën e dytë, kur Raul Jimenez goditi bukur me kokë, por priti portieri kundërshtar. Më pak se një minutë më vonë, gabimi i Funes Mori e lejoi Alan Pulidos të “flirtonte” me golin, por gjuajtja e tij u grushtua nga Agustin Marchesin.

Pasi mbijetoi në këto raste të hershme, Argjentina u vendos në garë dhe ngadalë filloi të kërcënonte kundërshtarin përmes Paulo Dybala dhe Lautaro Martinez. Presioni vazhdoi të rritet. Minuta e 38-të ishte drithëruese për Meksikën, teksa goditja e lirë e ekzekutuar nga Dybala për pak nuk përfundoi në rrjetë.

Dhe kur rezultati u zhbllokua, ishte një tjetër aksion i nisur nga këmbët e Dybala, që u finalizua nga Ramires Funes Mori. Ishte pikërisht minuta e 45-të e ndeshjes, kur Meksika u dorëzua për herë të parë. Me fillimin e pjesës së dytë, meksikanët tentuan të barazojnë, krijuan raste të volitshme, por Argjentina u shfaq e kujdesshme në prapavijë.

Përmes kundërsulmit dhe goditjeve standarde, argjentinasit kërkuan edhe golin e dytë e të sigurisë. Ishte përsëri Dybala, ai që dërgoi një top të ponderuar në zonën e vogël të portës meksikane, ku zëvendësuesi Brizuela, në përpjekje për të spastruar, e dëvijoi në portën e tij, duke shkaktuar një autogol fatkeq. Kronometri i gjyqtarit shënonte minutën e 83-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat