Sturridge në telashe, të afërmit vendosën baste për transferimin e tij

Futboll

Sturridge në telashe, të afërmit vendosën baste për transferimin e tij

Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 22:21
Daniel Sturridge

Daniel Sturridge gjendet në telashe të mëdha. Federata angleze e futbollit ka hapur një hetim për sulmuesin e Liverpool, që është lidhur me bastet, dhe menjëherë mediat britanike kanë zbardhur detajet e para.

Sipas tyre, një i afërm i futbollistit ka vendosur një bast prej 10 mijë paundësh për një transferim të tijin tek Interi, ndërkohë një tjetër ka shpenzuar një shumë të madhe për kalimin e Sturridge tek West Bromwich, që më pas u konkretizua.

Këto ngjarje flitet të kenë ndodhur në janarin e këtij viti, përpara se sulmuesi i “The Reds” të shkonte tek WBA në formën e huazimit. Sipas akuzave, megjithëse federata i ndalon rreptësisht lojtarët t’u japin informacione të afërmve apo miqve, Sturridge kishte informuar dikë se do të shkonte tek Interi, fakt ky që shpjegon edhe shifrën e lartë të shpenzuar nga personi në fjalë.

Gjithsesi, në ditët pasardhëse, një tjetër pjesëtar i familjes së 29 vjeçarit vendosi një bast të madh për transferimin e tij tek West Bromwich, marrëveshje e cila më pas u zyrtarizua.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga ana e ish-lojtarit të Manchester City dhe Chelsea, por gjithsesi Sturridge i ka konfirmuar drejtuesve të Liverpool se ai gjithnjë ka respektuar rregullat. Mësohet se futbollisti anglez ka kohë deri ditën e martë për t’ju përgjigjur akuzave. Ai mund të dënohet me një gjobë të rëndë, si dhe me një pezullim nga të gjitha kompeticionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat