Challandes: Gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind

Futboll

Challandes: Gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 18:28
Challandes: Gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka mbajtur konferencë për media para ndeshjes së nesërme kundër Azerbajxhanit, e ku ishte i pranishëm edhe futbollisti Valon Berisha. Interesimi i mediave në këtë konferencë ishte i jashtëzakonshëm, si nga ato vendore, ashtu edhe nga ato nga Azerbajxhani, gjë e cila dëshmon më së miri për rëndësinë e ndeshjes së nesërme, e gjë të cilën e potencoi edhe përzgjedhësi Challandes. “Më vjen mirë që po shoh një interesim të madh të mediave dhe ky është një tregues për rëndësinë e madhe që ka ndeshja për të dyja ekipet. Do ta kemi një lojë të mirë dhe e dimë se është rrethi i fundit dhe gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind. Në Azerbajxhan kemi luajtur baras. Skuadra e Azerbajxhanit është një skuadër e fortë dhe e mirë, prandaj edhe gjasat janë të barabarta. Azerbajxhani është favorit pasi që ka shumë më shumë përvojë se sa ne, por ne hyjmë për fitore dhe jam i bindur se me përkrahjen e tifozëve tanë të zjarrtë do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Nuk do ta ndërrojmë filozofinë e lojës. Nesër duhet edhe të rrezikojmë. Edhe nëse humbasim do ta vazhdojmë jetën, por e ritheksoj unë besoj në fitore”, ka theksuar Challandes.

Ndërkaq, edhe Valon Berisha theksoi se Azerbajxhani është favorit për shkak të përvojës, por se sipas tij fitorja ndaj Maltës i ka dhënë më shumë motiv ekipit. “Ajo ishte një fitore tejet domethënëse, por jemi të vetëdijshëm  për rëndësinë e ndeshjes së nesërme dhe ne po besojmë në fitore. Mendoj se edhe pse barazimi na kryen punë, ne si futbollist edhe si ekip nuk duhet të mendojmë për barazim, por duhet të shkojmë për fitore. Në fillim të kësaj gare Azerbajxhani është llogaritur favorit i grupit dhe edhe tash për shkak të përvojës mund të llogaritet i tillë, por ne jemi lider dhe fitorja ndaj Maltës na ka dhënë kurajë. Luajmë para tifozëve tanë dhe hyjmë për fitore”, ka theksuar Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat